Vendosni fjalën kyçe....

Suficiti buxhetor i kaloi 400 milionë eurot në fund të korrikut, prej mosrealizimit të shpenzimeve të planifikuara


Arka e shtetit po përjeton një situatë të bollshme likuiditeti, teksa në fund të periudhës 7-mujore është akumuluar suficit në masën 45 miliardë lekë, mbi 400 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, treguesi ka pasur ecuri shumë më të mirë se sa plani i periudhës dhe fakti i vitit të kaluar.

Në 7-mujorin e vitit 2022, balanca buxhetore ishte me 15 miliardë lekë suficit, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2023, treguesi është tre herë më i lartë, kurse në raport me planin e periudhës është 32 herë më i lartë.

Të dhënat tregojnë se suficiti erdhi si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave buxhetore më shumë se plani i periudhës me 12,4 miliardë lekë ose 3.4% më shumë.

Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore në raport me planin e periudhës ishin në rënie. Gjatë janar – korrik 2023 nuk u shpenzuar gati 31 miliardë lekë më pak se planifikimi, të cilat bashkë me të ardhurat shtesë ndikuan në krijimin e balancës suficitare.

Mirëpo mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore në kohë dhe sipas planifikimit ul efektivitetin e përdorimit të fondeve publike dhe nxit më tej përqendrimin e tyre gjatë muajit dhjetor, siç është bërë traditë tashmë.

P.sh., një zë për politika të reja pagash 450 milionë lekësh që ishte planifikuar për t’u përdorur gjatë 7-mujorit nuk është alokuar.

Gjithashtu një vlerë prej 2,2 miliardë lekësh që ishte planifikuar për të rritur pensionet nuk u alokua, duke ndikuar pozitivisht në krijimin e suficitit.

Ndikimin më të madh e kishte mosrealizimi i shpenzimeve kapitale me rreth 14 miliardë lekë nga plani i parashikuar për periudhën 7-mujore. Ky tregues ka kontribuar me një ë të tretën e masës së suficitit të 7-mujorit.

Në tre vitet e fundit, qeveria ka alokuar gati gjysmën e fondit të investimeve publike në muajin dhjetor, por në vitin 2023, Ministria e Financave e zyrtarizoi përdorimin e buxhetit në këtë mënyrë.

Plani i shpërndarjes mujore të buxhetit 2023 tregon se në dhjetor 2023 do të disbursohet 34% e fondit të total të investimeve publike dhe 17% e shpenzimeve totale buxhetore, por me gjasë këto përqindje do të rritet, duke marrë në konsideratë zhvillimet deri në fund të korrikut.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor