Vendosni fjalën kyçe....

Umerov emërohet ministri i ri i Mbrojtjes së Ukrainës


Ligjvënësit ukrainas kanë votuar për emërimin e Rustem Umerovit në postin e ministrit të Mbrojtjes. Ai vjen në këtë post pas disa ndryshimeve të bëra në këtë ministri, pas shqetësimeve për korrupsion gjatë blerjeve të pajisjeve ushtarake.

Në Parlamentin ukrainas, 338 ligjvënës votuar për emërimin e Umerovit.

Umerov merr drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes pas largimit të Oleksiy Reznikovit, që kishte udhëhequr dikasterin e mbrojtjes që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, përcjell REL.

Umerov, 41 vjeç, është një politikan nga partia opozitare Holos. Që nga shtatori i vitit 2022, ai ka shërbyer si kryetar i Fondit shtetëror të Pronave. Ai ka qenë i përfshirë në këmbimin e të burgosurve të luftës, të të burgosurve politikë, fëmijëve dhe civilëve, si dhe në evakuimin e civilëve nga territoret e pushtuara. Umerov po ashtu ishte pjesë e delegacionit ukrainas në negociatat me Rusinë sa i përket marrëveshjes së drithërave, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte arsyetuar ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes me nevojën “për një qasje të re” në këtë institucion dhe “forma të tjera të ndërveprimit, si me ushtrinë, ashtu edhe me shoqërinë”.