Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me raketa në tregun e qytetit ukrainas, të paktën 16 të vdekur


Të paktën 16 persona janë vrarë, duke përfshirë një fëmijë, pasi një raketë ruse goditi një treg në një qytet në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, thanë zyrtarët, në një nga sulmet më të rënda në muajt e fundit, sipas CNN.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se 20 të tjerë u plagosën në sulmin në Kostiantynivka.

“Trupat ruse janë terroristë që nuk do të falen dhe nuk do të lihen në paqe”, shkroi ai në Telegram. “Do të ketë një ndëshkim të drejtë për çdo gjë.”

Kostiantynivka është afër vijave të frontit rreth Bakhmut dhe shpesh e mbushur me personel ushtarak.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky e cilësoi sulmin si “çnjerëzor”.

“Kur dikush në botë ende përpiqet të merret me ndonjë gjë ruse, do të thotë të mbyllësh një sy ndaj këtij realiteti. Guximi i së keqes. Pafytyrësia e ligësisë. Çnjerëzim i plotë”, tha ai.