Vendosni fjalën kyçe....

Teuta dhe Tirana ndalen tek barazimi 2-2


Teuta dhe Tirana barazuan 2-2 për javën e dytë në Superligën shqiptare të futbollit.

U deshën 100 minuta për të mbyllur ndeshjen në “Niko Dovana”, teksa përballja u ndal për pesë minuta në pjesën e parë pasi në stadiumin e Durrësit ikën dritat.

Ndeshja nisi me vrull dhe ritëm nga bardheblutë, që kaluan në avantazh me Hasanin në minutën e katërt. Sulmuesi i Tiranës përfitoi nga një gabim i prapavijës vendase për të kaluar Demën dhe përshëndetur rrjetën.

Pas golit të pësuar Teuta u “zgjua” dhe mori frenat e lojës. Ishte Fili që në minutën e 10-të barazoi nga penalltia, kjo edhe pas ndërhyrjes së VAR. Në minutën e 20-të ishte Gjinollari që përmbysi ndeshjen për Teutën, pas një aksioni nga e djathta me Peposhin.

Pjesa e parë ishte më e mirë për Teutën, që përmbysi nënkampionët e vendit. Fraksioni i dytë ishte më i mirë për miqtë, që barazuan me Najdovskin në minutën e 59-të. Një këndore dhe krosimi “kirurgjikal” i Hasanit sollën barazimin që në fund u përkthye me pikë.

Vijimi i ndeshjes pa Tiranën që të kontrollonte lojën, duke pasur disa raste me Abazaj, Hasanin dhe Kainën. Nga ana tjetër, Fili, Peposhi, i riu Arifi (16 vjecc) treguan dëshirë dhe grintë në fushë.

Teuta e Diego Longos debuton kështu me një pikë në Superligë, teksa italiani i ka besuar të rinjve në fushë. Kujtojmë se durrsakët nuk luajtën javën e parë të Superligës me Partizanin, për shkak të angazhimit të “Demave” në Evropë.

Nga ana tjetër Tirana pëson katër gola në dy ndeshje dhe pas javës së dytë ka katër pikë në renditje, me Shehin që duhet të korrigjojë prapavijën