Vendosni fjalën kyçe....

“Mungesë aparaturash, stafi dhe kushtet cilësore”- Raporti i KLSH për Onkologjikun: 600 gra nuk kanë marrë shërbimin e radioterapisë


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar “Raportin Përfundimtar të Auditimit të Performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale” ku ka bërë disa gjetje dhe rekomandime të menjëhershme mbi situatën në spitalin onkologjik në Qendrën Universitare Nënë Tereza.

Raporti e nxjerr spitalin me mungesë stafi dhe të burimeve njerëzore që shtojnë ditët e gjata të pritjes për pacientët dhe ulin efektivitetin e shërbimit të trajtimit si dhe rritin kostot financiare të pacientëve.

Për periudhën në auditim, në Spitalin Onkologjik, konstatohet se: Shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale, nuk janë rritur, por janë mbajtur pothuajse të pandryshueshme, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe të trajtuar me sëmundje tumorale është  në rritje. Ka mungesa të stafit me burime njerëzore për rrjedhojë shtohen ditët e gjata të pritjes për pacientët, duke ulur efektivitetin e shërbimit të trajtimit si dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve”-, thuhet në raport.

Më tej KLSH ka gjetur se ka Onkologjiku nuk ka kushte shtrimi për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë shtrimi pasi shërbimi i radioterapisë është i centralizuar.

Në të thuhet se vetëm 9% e pacientëve kanë marrë shërbim në kushte shtrimi ndërsa 91% e të tjerave janë trajtuar në kushte jo hospitalizomi.

Numri i poltronëve “shtrat virtual” është në sasi të vogël vetëm 19 poltrona, ndonëse  gjatë ditës trajtohen me kimioterapi 75-80 pacientë, të cilët nuk janë vetëm nga qarku Tiranë, por nga i gjithë vendi, duke sjellë për pacientët dhe familjarët e tyre kosto për transport dhe akomodim.  43  d. Spitali Onkologjik e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi në spital për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Në total janë trajtuar të hospitalizuar vetëm 9% të pacientëve, ndërsa 91% të pacientëve kanë marrë trajtimin e seancave të radioterapisë jo të hospitalizuar”-, thuhet në raport.

Raporti thekson se në spital nuk është ngritur dhe vënë në funksion njësia e kujdesit paliativ për trajtimin e pacietëve të sëmurë paliativ me kancer në stadin terminal.

Pranë Spitalit Onkologjik, nuk është ngritur dhe vënë në funksion njësia e kujdesit paliativ (hospis ditor/hospis 24 orë), për të bërë të mundur trajtimin e të sëmurëve paliativ me kancer në stadin terminal.

KLSH ka lënë edhe disa rekomandime duke kërkuar shtim të buxheteve financiare, plotësim të vendeve vakante shtim poltronash dhe krijim të ambienteve sa më cilësore.

Rekomandimi: Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” në bashkëpunim me Spitalin Onkologjik, të marrin masa për shtimin e buxheteve financiare, për maksimizimin e eficiencës së burimeve njerëzore në shërbim të pacientit duke plotësuar vendet vakante, për shtimin e numrit të poltronave dhe shtretërve, për funksionimin e shërbimit të kujdesit paliativ dhe krijimin e ambienteve sa më të mira, për trajtim cilësor e në kohë të pacientëve që trajtohen me sëmundje tumorale.

Gjetje e rëndësishme nga auditimi për periudhën në auditim, në Spitalin Onkologjik, që i konstatua ishte se “Mos sigurimi i pajisjes mjekësore të Brankiterapisë, të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike), mos rehabilitimi i ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit  si dhe mostrajtimi në kohë i pacientëve që kanë nevojë për to, tregon se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim nuk ka efektivitet të plotë, duke cenuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.  Mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve duke ulur besimin për një shërbim spitalor të denjë dhe të pastër duke treguar se shërbimi i Spitalit Onkologjik, nuk ka efektivitet të plotë, për trajtimin e sëmundjeve tumorale”.

“Për periudhën në auditim, në Spitalin Onkologjik, konstatohet se: a. Në Spitalin Onkologjik nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), duke sjellë mos trajtimin për 600 gra paciente me Ca gjinekologjik me radioterapi, që përbën faktor risku për shëndetin e tyre.  b. Mos vendosja në funksion e aparatit të Ortovoltazhit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza, për mungesë të ambienteve, ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve me radioterapi, që vuajnë nga tumoret e lëkurës (Melanoma).  c. Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” nuk ka arritur në kohë, sigurimin e elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike) duke mos ofruar shërbim për 250 pacientë me shërbim radioterapi në Spitalin Onkologjik. d. Në spital mungon sistemi i kondicionimit, dhomat e pacientëve të katit të III kanë prani të lagështirës si dhe kati nëntokë i godinës së është jo funksional i cili aktualisht shërben si vend grumbullimi për pajisjet e amortizuara. Niveli i papastërtisë në katin nëntokë është mjaft i lartë dhe përbën risk potencial për infektime”- thuhet në raport.

Për këto gjetje KLSH ka lënë rekomandimet: Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” në bashkëpunim me Polin e Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik, të marrin masa për sigurimin e pajisjeve të Brankiterapisë, të elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike) si dhe rehabilitimin e ambienteve për vendosjen e aparatit të Ortovoltazhit, për trajtimin e pacientëve me sëmundjet tumorale. Menjëherë 2.2 Rekomandimi: Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” në bashkëpunim me Polin e Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik, të marrin masa për dezinfektimin, pastrimin dhe rehabilitimin e katit nëntokë, eliminimin e lagështirës si dhe sigurimin e ajrit të kondicionuar për të gjithë godinën.