Vendosni fjalën kyçe....

Niveli i Fierzës mbi mesataren historike në 6-mujorin e parë të vitit


Liqeni i hidrocentralit të Fierzës më i rëndësishmi në kaskadën e Drinit ka qëndruar në pjesën e parë të këtij viti më shumë afër maksimales historike sesa asaj mesatare.

Të dhënat e publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë sipas raportimeve të bëra nga kompanitë publike të sektorit tregojnë se nga janari në qershor Fierza ka qenë dukshëm mbi mesataren historike duke nisur në muajin e parë më nivelin 293.16 metra ndërkohë që mesatarja historike për këtë muaj është 275.5 metra.

Në Shkurt niveli ka zbritur në 286.4 metra por sërish mbi mesataren historike e cila për shkurtin është 276.9 metra. Në muajin mars 2023 Fierza u rrit në 291.47 teksa mesatarja historike është 279.82 metra.

Në muajin prill maj dhe qershor shifrat tregojnë për mbajtjen e Fierzës në kuota maksimale mbi 295-296 metra edhe në këtë rast mbi mesataren historike që në qershor rezulton 289.53 metra.

Përveçse situatës së mirë hidrike që ndryshoi nga nëntori i vitit të shkuar dhe që vijoi edhe në pjesën e parë të këtij viti duket se kriza është ajo që ka detyruar mbajtjen në nivele më të larta sesa mesatarja historike e rezervës energjetike.

E përballur me çmime të paprecedentë më parë Shqipëria si shumë vende të tjera u detyruan të shpenzonte mbi 500 milionë euro për blerje energjie në vitin 2022.Kombinimi i situatës së favorshme hidrike dhe menaxhimi më i kujdesshëm i rezervës ujore duket se erdhi si rrjedhojë e parandalimit të të njëjtit skenar të verës 2022 në verën 2023.

Të paktën deri më tani Korporata Elektronenergjetike Shqiptare ka arritur që më shumë të shesë sesa të blejë energji elektrike. Procedurat e blerjes u hapën në javë të caktuara në përpjekje për të përballuar kërkesën për konsum në pikun e sezonit veror.

Tabloja e nivelit të Fierzës ka ndryshuar tërësisht këtë vit po të kemi parasysh që nga viti 2021 kur nisi kriza e energjisë, liqeni ishte nën mesataren historike duke qëndruar kështu për të pakën 16 muaj dhe kjo ndryshoi vetëm në nëntorin dhe dhjetorin e 2022-it.

Kaskada e Drinit funksionon në bazë të një rregulloreje dhe referuar kësaj të fundit sa i takon nivelit të Fierzës  ajo parashikon që në periudhën 1 prill – 1 tetor Fierza të mbahet në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.

-Vija e nderprere mavi tregon kuoten maksimale historike

-Vija e kuqe e nderprere, mesatarja hisorike sipas muajit

Vija e gjelber e nderprere tregon kuoten minimale historike sipas muajit

Vija e zeze tregon ecurine e kuotes gjate 2023 janar-qershor


VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor