Vendosni fjalën kyçe....

Scholz: Rritja ekonomike e Gjermanisë është ‘e pakënaqshme’


Rritja e tanishme ekonomike e Gjermanisë është ‘e pakënaqshme’, ka thënë kancelari Olaf Scholz në një intervistë me gazetën bavareze ‘Passauer Neue Presse’, botuar të shtunën.

Sipas Scholz, varësia e Gjermanisë nga eksportet do të thotë se ajo është prekur dukshëm nga rënia e përgjithshme në ekonominë botërore.

“Kur ekonomia globale dobësohet, ne e ndiejmë atë veçanërisht fuqishëm. Por vlen edhe e kundërta: nëse ekonomia globale ringjallet sërish, ne gjithashtu përfitojmë”, tha ai.

Kancelari, megjithatë, është optimiste për perspektivat afatgjata. Ai tha se Gjermania ka ‘parakushtet më të mira për të siguruar që ne do vazhdojmë të jemi pjesë e më të mirëve teknologjikisht në dhjetë, 20 a 30 vjet’. Ai hodhi poshtë gjithashtu thirrjet për shpenzime më të larta federale të financuara nga borxhi për të nxitur rritjen ekonomike.

“Unë nuk jam i sigurt se BE-ja në të vërtetë mendon se ne duhet të marrim më shumë borxhe,” tha ai, duke vënë në dukje se borxhi i Gjermanisë tashmë është i fryrë për shkak të përpjekjeve të saj për të lehtësuar pasojat e pandemisë Covid-19 dhe, së fundmi, për të frenuar efektin e sanksioneve të lidhura me luftën e Rusisë në Ukrainë, të cilat çuan në një rritje të çmimeve të energjisë.

Pavarësisht se mbetet ekonomia më e madhe e BE-së, Gjermania është duke luftuar me pasojat e krizës energjetike dhe inflacionin e lartë të vazhdueshëm që nga viti i kaluar. Vendi ishte ndër më të goditurit nga ulja e furnizimeve ruse të energjisë pasi BE-ja vendosi sanksione ndaj Moskës në përgjigje të sulmit ndaj Ukrainës. Kjo çoi në kosto të larta të energjisë, të cilat nga ana e tyre kanë rritur çmimet në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave të vendit (Destatis), deficiti buxhetor gjerman u rrit në 42.1 miliardë euro (45.4 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të 2023, mes përpjekjeve të Berlinit për të frenuar inflacionin dhe çmimet e energjisë.

Prodhimi industrial i vendit ka rënë prej muajsh dhe parashikohet të tkurret më tej këtë vit.

Ekonomia ka ngecur në zero rritje në tremujorin e dytë të vitit, duke arritur mezi të dalë nga një recesion teknik që zgjati dy tremujorët e mëparshëm.

Analistët paralajmërojnë se, duke pasur parasysh treguesit e tanishëm ekonomikë, ekonomia gjermane ka të ngjarë të tkurret sërish në gjysmën e dytë të vitit.