Vendosni fjalën kyçe....

Nigeri dëbon ambasadorin francez: Të largohet brenda 48 orësh


Qeveria ushtarake e Nigerit i dha të premten ambasadorit francez Sylvain Itte 48 orë për t’u larguar nga vendi. Ministria e Jashtme e Nigerisë justifikoi vendimin pasi sipas tyre Itte nuk iu përgjigj ftesës për një takim dhe ‘veprimet e tjera të qeverisë franceze janë në kundërshtim me interesat e Nigerit’.

Dëbimi i ambasadorit vjen një muaj pasi ushtria e ish-kolonisë franceze, e udhëhequr nga Gjeneral Brigade Abdourahamane Tchiani, rrëzoi Presidentin Mohamed Bazoum. Si përgjigje, 11 anëtarë të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) sanksionuan Nigerin dhe kërcënuan një ndërhyrje ushtarake për të ‘rivendosur demokracinë’.

Guinea nuk pranoi të bashkohej me sanksionet, ndërsa fqinjët Mali dhe Burkina Faso thanë se do ta konsideronin një ndërhyrje të tillë një akt lufte kundër tyre. Të enjten vonë, Nigeri autorizoi dy fqinjët që të vinin në mbrojtje të tij nëse ECOWAS niste sulmin ndaj vendit.

“Të tre vendet kanë rënë dakord t’i japin njëri-tjetrit lehtësira për ndihmë reciproke në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në rast agresioni ose sulmesh terroriste”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga ministritë e tyre të jashtme.

Ministri i Jashtëm i Malit Abdoulaye Diop dhe kolegia e tij nga Burkina, Olivia Rouamba dënuan gjithashtu sanksionet ‘e paligjshme dhe çnjerëzore’ të vendosura ndaj Nigerit nga ECOWAS dhe Bashkimi Ekonomik dhe Monetar i Afrikës Perëndimore (UEMOA).

ECOWAS ka shpallur në mënyrë të përsëritur planet përfundimtare për një ndërhyrje ushtarake, ndërsa vazhdon të dërgojë misione diplomatike në Niamey. Të enjten, një delegacion i udhëheqësve islamikë u dërgua në Niger nga presidenti nigerian Bola Tinubu, i cili gjithashtu kryeson bllokun.

Në fillim të kësaj jave, gjenerali Tchiani përshkroi një propozim për t’u rikthyer në sundimin civil që do zgjaste ‘jo më shumë se tre vjet’, por paralajmëroi fqinjët dhe Francën që të mos ndërhynin në punët e brendshme të Nigerit.

ECOWAS e hodhi poshtë ofertën, duke kërkuar rivendosjen e menjëhershme të Bazoum. Touray i tha AP të premten se opsioni ushtarak ishte ‘ende në tryezë’.