Vendosni fjalën kyçe....

Roland Bejko: Demokratët nuk meritojnë të jenë pengje të Sali Kullës


Kandidati i PD-së për Tiranën në zgjedhjet e fundit lokale Roland Bejko deklaroi sot se demokratët nuk e meritojnë që të jenë pengje të Sali Berishës të cilin në shkrimin e tij e etiketon si Sali Kulla lidhur e kullën 64-katëshe në qendër të Tiranës.

Teksa mbështeti kandidaturën e Arif Rexhmatit për Bashkinë e Kukësit në zgjedhje e 24 shatorit, ai tha se bashkëpunimi i Sali Berishës me Edi Ramën nuk është vetëm te kulla e lejet e ndërtimit, a oligarkët që i kanë të përbashkët po edhe në garantimin e një pushteti të përjetshëm duke e mbajtur opozitën në gjendje armiqësore e të ndarë.

Në fund Bejko shkruan se e vetmja zgjidhje në këtë gjendje të vështirë për demokratët, PD-në e opozitën është ndarja përfundimtare nga Berisha një orë e më parë.

Shënimi i plotë i Bejkos

“Demokratët dhe qytetarët e Kukësit, prej disa ditësh po u bënin thirrje gjithë partive opozitare që nëqoftë se donin vërtet t’a fitonin bashkinë e Kukësit në zgjedhjet e pjesshme vendore, ata duhet të bashkoheshin rreth një kandidati të vetëm, duke ofruar si zgjidhje z. Arif Rexhmati, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, si figurën më potenciale që mund ta çonte opozitën në një fitore të sigurt. Por, ata u refuzuan sot në këtë ide e në këtë dëshirë, nga Sali Kulla.

Non Grata, e ka ndarë mendjen. Ai, si zakonosht, në një monolog me gazetarët, përsëriti refrenin e vjetër se më mirë bashkëpunon me Ramën se me këdo që mbështet, sipas tij, “Lul-Bravën”.

Dhe në këtë që thotë, ne e besojmë. Sali Berisha është i sinqertë. Bashkëpunimi i tij me Ramën nuk shtrihet vetëm tek lejet e ndërtimit që ky i fundit u jep familjarëve dhe ortakëve të familjes së tij, apo dhe oligarkëve që i kanë si bankomatë të përbashkët, por edhe në garantimin e një pushteti të përjetshëm duke e mbajtur opozitën në një gjendje armiqësore e të ndarë mes vetes.

Në deklaratën e sotme Sali Berisha, bëri të paditurin se z. Rexhmataj, një demokrat me vlera të larta qytetare, është drejtuesi lokal i Partisë Demokratike. Me këtë rast, ai u shoi çdo shpresë bashkëpunimi në nivel vendor faktorëve opozitarë të Kukësit,  duke u hequr atyre mundësinë të ishin fitues në garën për kryetarin e bashkisë.

Kështu, midis Arif Rexhmatajt e demokratëve të Kukësit, Sali Kulla zgjodhi bashkëpunimin me Edi Ramën duke i garantuar kandidatit të tij sërish fitoren në tavolinë, për më tepër që kandidati socialist është i afërmi i një oligarku ku piktakohen elitat politike të dy palëve në ortakëri.

Sot është rasti që demokratët ta kuptojnë se hallet e Sali Kollës janë krejt të ndryshme nga hallet e tyre. Shqetësimet e Sali Nongratës, janë krejt të kundërta nga shqetësimet e atyre që vuajnë në kurriz padrejtësitë dhe abuzimet nga pushteti i Edi Ramës, ortaku i Sali Kullës.

E, nëse demokratët varfërohen përditë e më shumë, përditë e më shumë pasurohet Sali Kulla e familja e tij.

Në Kukës, me fitoren e kandidat socialit, Saliu dhe oborrtarët e vet dalin të fituar, si në Shkodër me Becin e tij.

Demokratët?  Të humbur, natyrisht!

Ndaj e vetmja zgjidhje në këtë situatë të vështirë për demokratët, Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare, është ndarja përfundimtare nga Sali Kulla, dhe bashkimi një orë e më parë nën siglën e Partisë Demokratike edhe një herë siç kemi qenë para se non grata të në ndante më dysh, si e vetmja mundësi reale për t’u rikthyer në alternativë pushteti duke u çliruar nga barra e një udhëheqësi të refuzuar nga Perëndimi që e ka cilësuar atë si minues të demokracësë, pengues të drejtësisë së pavarur, dhe të korruptuar familjarisht.

Demokratët nuk meritojnë të jenë pengje të Sali Kullës, ata janë aq inteligjentë sa ta gjejnë vet rrugën e tyre të së ardhmes.

Besoj, sot morën përgjigje përfundimtare prej non gratës të gjithë ata politikanë të lartë që pretendonin bashkim midis demokratëve me atë në krye. Moskuptimi i këtij fakti nga kushdo që merret me politikë, mendoj se është, nëmos marrëzi, të paktën naivitet.

*Sekretar për Vetqeverisjen Vendore dhe Decentralizimin, pranë PDSH.”