Vendosni fjalën kyçe....

Rasti i Fredi Belerit, Rama e bën të qartë: Drejtësia e re duhet të bëjë detyrën, asnjë ndërhyrje s’do mbështetet


Kryeministri Rama theksoi edhe njëherë sot se në rastin e Fredi Belerit, drejtësia e re duhet të bëjë detyrën.

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga kryeministria, ai tha se pavarësisht ndërhyrjes nga ana e Greqisë, ai nuk ka ndryshuar qëndrimin lidhur me rastin në fjalë.

Ai e bëri të qartë se asnjë lloj ndërhyrjeje nuk do gjejë përkrahjen e as mbështetjen e Tiranës, ngado që të vijë.

“Në këtë periudhë kemi pasur mesazhe të rëndësishme dhe shumë domethënëse nga sistemi i ri i drejtësisë. Gjë që unë e kam vlerësuar edhe përmes rrjeteve sociale. Nga ana tjetër e dini që keni pasur një situatë të inflamuar për shkak të problemit të drejtësisë me kryebashkiakun e zgjedhur në Himarë. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë, që drejtësia e re duhet të bëjë detyrën e saj. Në këtë pikë asgjë nuk është më e rëndësishme se mbrojtja me njëjtën mënyrë të veprimtarisë së sistemit të drejtësisë. Kështu që asnjë lloj interference nga do që të vijë , nuk do gjejë jo përkrahjen , por as mbështetjen tonë. Ne nuk ndërhymë dhe nuk komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë si dhe nuk presim asgjë përveç zbatimit të ligjit. Të tjerët mund të thonë çfarë të duan”, tha Rama.