Vendosni fjalën kyçe....

Rama-gjykatësve: Zjarrvënia krim barbar që dënohet deri 15 vjet burg, mos vijoni avazin e vjetër…


Kryeministri Rama u ka bërë thirrje gjykatave që të mos vijojnë avazin e vjetër të mosndëshkimit të personave që kapen duke vënë zjarre.

Në një shënim në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se zjarrvënia është krim barbar që dënohet deri në 15 vjet burg ndërsa ka falënderuar policinë për kapjen e zjarrvënësve siç ishte rasti i zjarrit të djeshëm në Laç.

“Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg. Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre.” – shkruan Rama.