Vendosni fjalën kyçe....

“Mediat sociale pranë Wagner thonë se avioni u godit me raketë nga mbrojtja ajrore ruse” – Wall Street Journal


Udhëheqësi i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje jetëshkurtër kundër autoritetit të Kremlinit në qershor, ishte ndër pasagjerët e aeroplanit që u rrëzua në veriperëndim të Moskës pak më herët, duke vrarë 10 personat në bord, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Kanalet e mediave sociale pranë grupit Wagner thanë se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi avionin, një ‘Embraer Legacy 600’. Pamjet video të postuara nga shikuesit treguan atë që dukej si gjurma e një rakete dhe avioni që binte nga qielli me njërin krah të humbur.

Zyrtarët rusë të aviacionit të cituar nga Tass nuk dhanë një arsye për rrëzimin e avionit të së mërkurës, ndërsa disa ligjvënës rusë thanë se rrëzimi mund të ishte shkaktuar nga një bombë e vendosur në bord.

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, William Burns, në një fjalim në Aspen muajin e kaluar, parashikoi se presidenti rus Vladimir Putin, autoriteti i të cilit u dëmtua nga kryengritja, herët a vonë do hakmerrej për kryengritjen e grupit Wagner.

Prigozhin nisi një rebelim pikërisht dy muaj më parë, më 23 qershor, duke marrë nën kontroll qytetin jugor të Rostovit dhe duke marshuar drejt Moskës, ndërsa kërkonte rrëzimin e ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, dhe shefit të shtabit të përgjithshëm, Valery Gerasimov.

Rebelimi përfundoi pasi u arrit një marrëveshje midis Putinit dhe Prigozhin, sipas së cilës Wagner do të zhvendoste operacionet e tij në Bjellorusinë fqinje dhe udhëheqësit e saj do merrnin imunitet.

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko, i cili ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes, tha më vonë se Prigozhin ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburg në Rusi. Një video e publikuar këtë javë, shfaqte Prigozhin, me sa duket në Afrikë, duke kërkuar rekrutë të rinj.

“Kjo tregon se ju nuk mund ta poshtëroni Putinin në publik pa pasoja të rënda,” tha një person i afërt me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

 

Greyzone, një kanal i njohur Telegram afër Prigozhin, tha se avioni ishte rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe se ishte zhdukur nga radari në orën 18:20.

Analistët ushtarakë rusë të afërt me Wagner thanë se themeluesi dhe komandanti i lartë i organizatës paraushtarake, Dmitry Utkin, ishte gjithashtu në bordin e aeroplanit që u rrëzua të mërkurën.

Një avion privat që besohet të jetë në pronësi të Prigozhin, një ‘Embraer Legacy 600’, doli nga radari rreth 160 kilometra në veriperëndim të Moskës, sipas një rishikimi të Wall Street Journal të të dhënave nga shërbimi i gjurmimit të fluturimeve ‘Flightradar24’. Avioni po fluturonte në rreth 28,000 këmbë para se të zhdukej pak pas orës 18:00 me kohën e Moskës.

Një tjetër avion ‘Embraer’ që besohet se ishte në pronësi të Prigozhin u pa duke udhëtuar drejt Shën Petersburgut dhe në të njëjtën zonë jo shumë kohë përpara se avioni tjetër të zhdukej, tregojnë të dhënat. Avioni i dytë u kthye në drejtim të Moskës përpara se të kalonte mbi kryeqytet rreth perëndimit të diellit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani