Vendosni fjalën kyçe....

PD: Drejtori në Bashkinë Tiranë i jep fonde kompanisë të krijuar prej tij


Partia Demokratike ka denoncuar sot nëpërmjet Departamentit të Antikorrupsionit, një rast që sipas saj tregon se ku shkojnë paratë në Bashkinë e Tiranës.

Zëdhënësja e këtij departamenti, Genta Vangjeli, bëri një denoncim publik me emra dhe mbiemra dhe i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet për abuzim me detyrën shtetërore.

PD akuzon se Drejtori i Projekteve Strategjike në Bashkinë Tiranë, Dritan Delija nëpërmjet projekteve kulturore i ka dhënë fonde kompanisë Kuadër.com ku ka qenë aksioner në të në momentin e krijimit.

Dritan Delija është Drejtori i Projekteve Strategjike pranë bashkisë Tiranë prej Dhjetorit 2020 e në vijim, – tha znj. Vangjeli. –  Sigurisht, kjo nuk përbën shkelje dhe as krim. Punonjës të ndershëm të administratës janë thelbësorë në mbajtjen në këmbë dhe mbarëvajtjen e një shteti serioz.

Problematika e postit të z. Delija fillon në momentin kur, sipas dokumenteve zyrtare, Bashkia Tiranë, nga viti 2021 deri Maj 2023, ka disbursuar vlerën prej 802 milion lekësh për shoqërinë KUADËR.COM.

Kjo shumë ka shkuar për përfshirjen e Kuadër.com në 6 projekte kulturore të bashkisë të cilat janë si më poshtë:

Koncerti Notre Dame de Paris- Maj 2023
Koncerti Nikos Vertis Prill 2023
Koncertet e Fundvitit Dhjetor 2022
Tirana Fan Zone Nëntor 2022
Koncerti ‘Rita Ora’ në Korrik 2022
‘Tirana Fan Zone’ Korrik 2021

Për të kuptuar shkeljen duhet bërë publik profili i kompanisë KUADËR.Com. Ajo u regjistrua pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në 16 Tetor 2017. Pronarët fillestarë ishin Dritan Delija, Aleksander Cifligu dhe Ilir Pandeli.

Në mars 2018 Dritan Delija kalon aksionet e veta tek 2 ortakët e tjerë të shoqërisë.

Skema është e qartë: Deliaj ka pranuar postin e lartë në Bashkinë e Tiranës, duke ua kaluar ‘me letra’ pronësinë dy ortakëve të vet në biznes dhe gjatë kohës në detyrë, me bujari të madhe, i ka kaluar kompanisë në të cilën vetë ishte aksioner legal dhe tani është aksioner i fshehtë, 802 milion lekë për 6 evente kulturore.

Dritan Delija ka një rekord të ngjashëm edhe kur ka qenë në detyra të tjera shtetërore.

Nga korrik 2018 deri nëntor 2020 ai ka punuar pranë Agjencisë Nacionale të Diasporës si Drejtor Ekzekutiv.

Nga janari 2019 deri në mars 2019, çuditërisht ose aspak çuditërisht, KUADËR.COM ka përfituar 20 pagesa nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Këto pagesa lidhen me likujdimet për samite të Diasporës, në vlerën totale të 97 milion lekëve.

Pra, Drejtori i Diasporës i ka dhënë kompanisë së tij një tjetër shumë të konsiderueshme për organizime samitesh.

A është rastësi që ish ortakët zyrtarë të Dritan Deliajt përfitojnë fonde publike nga institucionet ku ka qenë, apo është, punëmarrës Dritan Deliaj? Apo e vërteta është se Dritan Deliaj merr përqindjen e tij si ortak i fshehur i KUADËR.COM?

I bëjmë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për shkelje dhe abuzim të detyrës shtetërore. Është e papranueshme që zyrtarë shtetërorë zhvillojnë aktivitet privat me para publike.

I bëjmë thirrje publikut, apo zyrtarëve shtetërorë, që kanë njohuri rastesh të ngjashme abuzimesh të denoncojnë pranë Task Forcës së Anti-Korupsionit në Partinë Demokratike në kushtet e anonimatit të plotë dhe ruajtjes se privatësisë”-tha në deklaratë Vangjeli.