Vendosni fjalën kyçe....

Kredia po rritet më ngadalë se ekonomia


Hendeku mes rritjes së kreditimit dhe rritjes ekonomike u thellua më shumë në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt 2022 hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -8.43 pikë përqindje nga -7.96 pikë përqindje pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar, duke shtuar, eventualisht, rreziqet sistemike

Banka e Shqipërisë kryen analiza periodike të këtij treguesi, që ka si qëllim kryesor evidentimin e nevojës për të vendosur një shtesë kundërciklike kapitali për bankat tregtare.

Shtesa kundërciklike do të kishte si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.

Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk po aplikon shtesë kundërciklike kapitali dhe kjo u konfirmua edhe në vendimin e fundit të Guvernatorit, të datës 3 korrik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet e tremujorit të parë reflektojnë rënien e kredisë për ekonominë kundrejt normës pozitive të rritjes së produktit të brendshëm bruto.

Megjithatë, ecuria e treguesit ka qenë në kahe të ndryshme për segmentin “biznese” dhe atë “individë”. Gjatë tremujorit, thellimi i vlerës negative të treguesit parësor duket se është përcaktuar tërësisht nga ecuria e treguesit përkatës për segmentin “biznes”.

Vlera e treguesit parësor për “individët” luhatet më afër nivelit “zero”, duke sinjalizuar nevojën për një vëmendje të shtuar.

Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit, një nga shtesat e parashikuara në rregulloren e vitit 2019 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.

Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar.

Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje

Për shembull, në periudhën 2002-2008, periudhë që përfshin fazën me rritjen më të lartë të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri, ky hendek kishte qenë pozitiv me 1.9 pikë përqindje. Për periudhën nga fillimi i vitit 2009 deri në tremujorin IV 2022, hendeku kishte qenë negativ me -7.79 pikë përqindje.

Si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.

Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë.

Zhvillimet e periudhës pasqyrojnë një ngadalësim – si në terma vjetorë ashtu edhe tremujorë – të ritmit rritës të portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme.

Ky ngadalësim vijon që prej tremujorit të parë të vitit 2022 dhe vlerat e nëntreguesit mbeten nën mesataren historike. Nga ana tjetër, indeksi i çmimit të banesave regjistron vlera më të larta në terma vjetorë por ka ngadalësuar ritmin e rritjes në terma tremujorë.

E njëjta prirje vërehet edhe në ecurinë e raportit të këtij nëntreguesi kundrejt atij të qirasë. Pavarësisht këtij zhvillimi, vlera e këtij nëntreguesi vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike.

Ecuria e këtyre dy nëntreguesve, të cilët priren të përforcojnë ecurinë e njëri-tjetrit, monitorohet në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë. Qëllimi është që, duke përdorur edhe informacionet që lidhen me ngarkesën me borxh të familjeve, të identifikohen dhe parandalohen situatat në të cilat ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme është e paqëndrueshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor