Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i sterilizimit/ Qendra e re moderne ishte në QSUT por s’u vu asnjëherë në funksionim, GJKKO: Beqaj e Rjepaj kishin përzgjedhur fituesin


Një qendër moderne sterilizimi ishte në QSUT e megjithatë ajo nuk u vu kurrë në funksionim edhe pse Ogerta Manastirliu, atëherë drejtoreshë e QSUT-së informoi ministrin e Shëndetësisë, atëherë Ilir Beqaj.

Nga hetimet mësohet se në shkurt të vitit 2014, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga Ogerta Manastirliu, atëherë, drejtoresha e QSUT, – sot ministre e Shëndetësisë, për të vënë në punë qendrën moderne të sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.

Nga hetimet ka rezultuar se kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës.

Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.

Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.

Sipas Shqiptarja.com, në vlerësimin e argumentuar në dosjen prej 348 faqesh, Gjyqtari i GJKKO-së Erjon Bami arsyeton se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,” arsyeton gjyqtari Bani, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.

Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka orientuar SPAK-un që të zgjerojë hetimet jo vetëm ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani por dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur lidhje, dyshime për shkelje ligjore dhe dijeni për këtë koncension.