Vendosni fjalën kyçe....

Deputeti i PDK-së: Arrestimi i Dritan Goxhajt i padrejtë, raporti ‘Marty’ e keqja më e madhe që i është bërë Kosovës pas lufte


Deputeti i PDK-së në Kosovë, Hisen Berisha, deklaroi sot se arrestimi i ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj bie ndesh me të drejtat e njeriut ndërsa i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë llogari nga Këshilli i Evropës mbi pretendimet për ‘Shtëpin e Verdhë’.

Në një deklaratë në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ai tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë e ka respektuar normat ndërkombëtare.

Berisha tha gjithashtu se raporti i Dick Marty-t është ‘e keqja më e madhe që i është bërë Kosovës pas luftës’, gjë që ka prekur edhe Shqipërinë.

“Arrestimi i Goxhajt bie ndesh me të drejtat e njeriut, është shkelje e tyre. Unë mendoj se qeveria shqiptare nuk duhet të lejojë ekstradimin e Dritan Goxhajt. Duhet të kërkojë llogari nga Këshilli i Evropës për pretendimet mbi Shtëpinë e Verdhë. UÇK ka respektuar gjithë normat ndërkombëtare aq sa ka pasur mundësi dhe besoj se në asnjë rast nuk kemi dalë kundër tyre. UÇK ka bërë një luftë të drejtë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të ndalur këtë abuzim. Raporti i Dick Martyt është e keqja më e madhe që i është bërë Kosovës pas luftës. Kjo gjë ka prekur edhe Shqipërinë”, tha deputeti i PDK-së.