Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme


Ushtria amerikane ka vendosur mijëra trupa dhe mjete shtesë detare në Lindjen e Mesme, duke theksuar nevojën për të ‘frenuar’ forcat iraniane pasi akuzoi Teheranin për ngacmim të anijeve tregtare dhe veprime të tjera ‘destabilizuese’.

Flota e 5-të e marinës amerikane njoftoi vendimin të hënën, duke vënë në dukje se më shumë se 3,000 marinsa e marinarë kishin mbërritur në Detin e Kuq me një anije sulmi amfibe dhe një anije zbarkimi një ditë më parë.

“Këto njësi shtojnë fleksibilitet dhe aftësi të konsiderueshme operacionale ndërsa ne punojmë së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të penguar aktivitetin destabilizues dhe për të ulur tensionet rajonale të shkaktuara nga ngacmimet dhe sekuestrimi i anijeve tregtare nga Irani në fillim të këtij viti,” tha në një deklaratë për The Hill zëdhënësi i Flotës së 5-të, komandanti Tim Haëkins.

Anija sulmuese amfibe e dërguar në dislokimin më të fundit, USS Bataan, mbante gjithashtu mjete ajrore shtesë, shtoi Marina. Megjithëse nuk specifikoi sistemet në bord, ushtria tha se anija mund të transportojë më shumë se dy duzina avionë. Anija më e vogël USS Carter Hall, një anije ankoruese, do veprojë si një anije mbështetëse për operacionet që përfshijnë ulje ose sulme amfibe.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin urdhëroi lëvizjen në korrik ‘në përgjigje të përpjekjeve të fundit të Iranit për të kapur anije tregtare’ në rajon.

Në mes të korrikut, Departamenti i Mbrojtjes tha se do dërgonte avionë luftarakë F-35 dhe F-16 në Lindjen e Mesme së bashku me një shkatërrues raketash për të ‘mbrojtur interesat e SHBA-së dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit’, duke përmendur veprimet ‘destabilizuese’ të Iranit në ngushtica e Hormuzit.