Vendosni fjalën kyçe....

I bien rrotat e djathit sipër, humb jetën tragjikisht prodhuesi i njohur në Itali


Një prodhues i djathit italian është gjetur i vdekur pasi më shumë se 15,000 rrota djathi ranë nga raftet në magazinë e kompanisë së tij, raportuan mediat italiane të hënën. 74-vjeçari kishte marrë çmime të shumta për prodhimin e tij.

Tragjedia ndodhi në një magazinë në fabrikën e qumështit të Giacomo Chiapparini në Romano di Lombardia, afër Bergamos, raportoi gazeta italiane Corriere Della Sera.

Chiapparini thuhet se ishte brenda në magazinë duke riparuar një pajisje të dielën në mbrëmje, kur një njësi raftesh metalike u rrëzua, duke shkaktuar një efekt domino dhe duke rrëzuar nëntë rreshtat e tjerë.

Djali i Chiapparini-t dhe disa nga punonjësit e tij u alarmuan nga zhurma e shembjes dhe nxituan në magazinë, ku zbuluan se më shumë se 15,000 rrota djathi ishin përplasur në tokë.

Çdo rrotë peshonte rreth 40 kg (88 lbs) dhe shpëtimtarët punuan gjatë natës për t’i hequr ato me dorë, tha zjarrfikësi Antonio Dusi për agjencinë e lajmeve AFP.

Trupi i Chiapparini-t u gjet të hënën në mëngjes. Kompania Chiapparini ka prodhuar Grana Padano që nga viti 2006 dhe ka marrë disa çmime për cilësinë e prodhimit të saj, vuri në dukje gazeta.

Kompania përdor qumështin e lopëve të saj, i cili përpunohet, maturohet dhe shitet në fabrikë në qumështoren Romano di Lombardia, ku jeton edhe familja. Chiapparini ka lënë pas gruan, dy fëmijët dhe nipërit e mbesat.