Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e euros/ Eksportuesit shqiptarë letër institucioneve ndërkombëtare: Kërkojmë asistencë për politikat monetare dhe fiskale


Eksportuesit shqiptarë i kanë dërguar një letër institucioneve ndërkombëtare sa i takon situatës me rënien e euros në vendin tonë.

Eksportuesit kërkojnë nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH-I asistencën e tyre teknike për të përballuar goditjet nga zhvlerësimi i euros si dhe ndihmën për vlerësimin e shkaqeve reale të zhvlerësimit të shpejtë të euros.

Eksportuesit kanë bërë thirrje edhe ndaj qeverisë për t’i kompensuar dhe për të ndryshuar regjimin e kursit të këmbimit, dy kërkesa që duket se nuk janë në tryezën e negociatave. Ata u shprehën se janë në limitet e rezistencës ndërsa goditjet nga zhvlerësimi i euros janë në shifrën e 100 milionë eurove.

Një ditë më parë guvernatori Gent Sejko tha  që nëse vazhdojnë luhatjet e forta banka e Shqipërisë mund të ndërhyrë.

 

LETRA

Lënda: Kërkohet asistencë për politikat monetare dhe fiskale që lehtësojnë goditjet nga kurset e

këmbimit

Drejtuar: Znj. Stephanie Eble

Resident Representative for Albania-IMF

Regional Resident Representative based in Vienna

 

Znj. Odile Renaud-Basso

Tirana Resident Office-EBRD

 

  1. Emanuel Salinas

Country Manager-Ëorld Bank

Për dijeni: Znj. Delina Ibrahimi

Ministre e Financave dhe Ekonomisë

  1. Gent Sejko

Guvernator, Banka e Shqipërisë

 

Nga: Zyra e Unifikuar e shoqatave të Eksportit

Të nderuar drejtues të institucioneve financiare,

Së pari, na lejoni të shprehim vlerësimet pozitive të komunitetit të Eksportuesve shqiptarë, për ndihmën tuaj që në hapat e parë të tranzicionit shqiptar. E vlerësojmë shumë faktin që institucionet tuaja i konsiderojnë shoqatat e biznesit, si partnerë të dobishëm në zbatimin e reformave strukturore dhe sektoriale. Komuniteti i eksporteve sot, përfaqëson mbi 5000 Kompani ekportuese, mbi 200 mijë të punësuar dhe ka një kontribut afro 23% në PBB. Falë rritjes dhe konsolidimit të tyre, eksportuesit janë një nga shtyllat kryesore të rritjes së aftësisë konkuruese dhe përmirësimit të bilancit tregtar dhe bilancit të llogarisë korrente.

Jemi të vetëdijshëm se në kushtet e aplikimit të kursit të luhatshëm të këmbimit, do të prekemi nga goditje të jashtme. Kjo situatë është ndjerë më shumë vitet e fundit. Zhvlerësimi i monedhës euro është rreth 20% dhe rreth 13% me bazë vjetore. Do ta vlerësonim pozitivisht, nëse forcimi i monedhës kombëtare do të vinte nga forcimi i ekonomisë sonë për shkak të rritjes së produktivitetit, rritjes së konkurencës, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga remitancat.

Por luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse. Vlerësojmë se këto luhatje ndoshta do të ndjehen edhe më shumë në vitet në vijim, prandaj e kosniderojmë se do të ishte shumë e vlefshme për të bashkuar forcat me ekspertët tuaj, për nxitjen dhe lehtësimin e politikave të eksportit, ku përfshihen politikat fiskale, ato monetare, por edhe rëndësia e reduktimit te kostove dhe te ngarkesave fiskale. Ne mbetemi me shpresën e plotë se institucioni juaj do të na ofrojë ekspertizën e kërkuar, e cila bazohet në faktin se ju keni eksperienca shumë të gjatë dhe nga gati të gjitha shtetet anëtare.

Urimet më të mira për ju,

Zyra e Unifikuar e shoqatave të Eksportit