Vendosni fjalën kyçe....

Forcimi i lekut, Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë për momentin në kursin e këmbimit, Sejko: Po e monitorojmë


Guvernatori Genti Sejko bëri me dije sot se Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë për momentin në kursin e këmbimit valutor.

Por në përgjigje të shoqatës së eksportuesve të cilët kërkojnë që BSH të ndërhyjë në tregun valutor, Banka e Shqipërisë thotë se po monitoron luhatjet e kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit dhe tregon se kur do të ndërhyjë.

“Këshilli mbikqyrës thekson se mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kurseve të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor dhe objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa BSH rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor në përmbushje të mandatit të saj ligjor” deklaroi Sejko.

Banka e Shqipërisë gjithashtu gjykon se pikërisht forcimi i lekut i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon.

“Këshilli gjykon se forcimi i kursit të këmbimit i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë në një mënyrë të njëkohshme një nga nivelet më të ulëta të inflacionit, normave të interesit dhe kostot të financimit dhe një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon”

Nuk ndryshon norma bazë e interesit as e kredive

Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të intersit në nivelin 3 %

Vendimmarrja e BSH

-Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në në nivelin 3 %

-Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 4 %

-Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një ditore  në nivelin 2 %

Skenari i BSH: Rritja ekonomike do vijojë

Sipas skenarit bazë të Bankës së Shqipërisë ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë 3 mujorëve në vazhdim edhe pse do të ketë një ngadalësim të lehtë si pasojë e ngadalësimit ekonomik në eurozonë dhe kushteve më të shtrënguara të financimit si në vend dhe në botë.

Rritja ekonomike pritet të kthehet pranë nivele të saj historike në horizontin afatmesëm.

Gjithashtu inflacioni pritet vijojë të bjerë gradualisht gjatë 3 mujorëve të ardhshëm e të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm.