Vendosni fjalën kyçe....

Depozitat rriten si në lekë dhe në euro; Muajin e zgjedhjeve u shënua rekord kursimesh në valutë me 107 milionë euro më shumë


Muaji qershor ka shënuar një tendencë përmirësimi sa i përket mundësisë së bizneseve e familjeve për të kursyer.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat janë rritur në lekë për herë të parë që nga muaji janar, ndërsa ka vijuar tendenca e shtimit të kursimeve në monedhë të huaj, ndonëse më ritme më të ngadalta sesa në maj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor, stoku i depozitave në lekë arriti 547 miliardë lekë, me një rritje prej 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 5.9 miliardë lekë më shumë. Kjo është rritja më e fortë që nga muaji dhjetor 2022 dhe e para pas pesë muajsh radhazi kur kursimet në monedhën vendase në banka ishin në tendencë rënëse. Rritja e qershorit ka ardhur si nga bizneset ashtu dhe nga individët.

Pavarësisht tendencës rritëse të normave të interesit vitin e fundit, si rrjedhojë e politikës monetare shtrënguese të Bankës së Shqipërisë, që rriti normën bazë disa herë për të frenuar inflacionin, depozitat në lekë nuk kanë njohur ndonjë zgjerim të ndjeshëm. Me bazë vjetore, kursimet në lekë janë rritur vetëm me 0.8%.

Kjo mund të reflektojnë si paaftësinë për të kursyer, për shkak të rritjes me ritme shumë të larta të çmimeve në raport me të ardhurat, ashtu dhe kanalizimin e investimeve në letrat me vlerë të qeverisë, të cilat kishin norma më të larta interesi sesa depozitat.

Kursimet në euro u shtuan në nivelet rekorde në maj

Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit. (Monitor po i raporton depozitat në valutë nga statistikat e veçanta për euron, që mbizotëron, pasi të dhënat totale të depozitave të Bankës së Shqipërisë jepen në lekë, çka ul vlerën e kursimeve në euro për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës së përbashkët).

Në fund të qershor, stoku i kursimeve në euro arriti në 6.69 miliardë euro, me një rritje prej 1.31% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 87 milionë euro më shumë. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 17.3%, ose 987 milionë euro më shumë.

Ajo që konstatohet është një rritje mujore e pazakontë në maj, që përkon me muajin e zgjedhjeve lokale, ku kursimet në euro u shtuan me 107 milionë euro, që është rritja më e madhe mujore e regjistruar ndonjëherë në maj, që nga viti 2016, kur Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat e ndara. Për krahasim në maj 2022 kursimet në euro ishin rritur me 36 milionë euro dhe në maj 2021 me 45 milionë euro. (shiko grafikun) Shtesa mujore e depozitave në euro në maj (mln).

Të dhënat historike të bankës tregojnë se shtesa mujore të depozitave mbi 100 milionë euro konstatohen vetëm gjatë periudha sezonale kur vijnë emigrantët. Si korrik-gusht e janar-dhjetor, ndërsa maji është hera e parë që shikon vlera kaq të larta!

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor