Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të vidhte me dhunë çantën e një turisteje, arrestohet 25-vjeçari në Durrës


Një 25 vjeçar është arrestuar në Durrës pasi tentoi t’i vidhte me forcë çantën një turisteje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 25-vjeçari ka tentuar të vjedhë edhe në një banesë, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili u identifikua dhe u shpall në kërkim nga Policia.

Policia arrestoi shtetasin me iniciale S. M., 25 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë.

Ndërsa shpalli në kërkim shtetasin N. C., 34 vjeç, banues në Kavajë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas marrjes së kallëzimit nga një turiste boshnjake se gjatë mbrëmjes, një shtetas kishte tentuar t’i merrte me forcë çantën e saj, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, brenda pak orësh, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– S. M., 25 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka tentuar të vjedhë edhe në një banesë, në lagjen 14, Durrës, në bashkëpunim me shtetasin N. C., 34 vjeç, banues në Kavajë, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore”-thuhet në njoftimin e policisë.