Regjisori kanadez James Cameron ka thënë se filmi i tij fantastiko-shkencor i vitit 1984 ‘The Terminator’ duhet të kishte shërbyer si një paralajmërim për rreziqet e inteligjencës artificiale dhe se përdorimi i teknologjisë në zhvillim mund të kishte pasoja katastrofike.
Duke folur për CTV News për një intervistë të martën, regjisori fitues i shumë çmimeve u pyet nëse ai beson se inteligjenca artificiale mund të sjellë një ditë ‘zhdukjen e njerëzimit’, një frikë e ngritur edhe nga disa liderë të industrisë.
“Unë absolutisht ndaj shqetësimin e tyre. Unë ju paralajmërova djema në vitin 1984 dhe ju nuk dëgjuat”, tha ai, duke iu referuar filmit të tij ‘The Terminator’, i cili sillet rreth një vrasësi kibernetik të krijuar nga një superkompjuter inteligjent i njohur si Skynet.
Cameron vazhdoi të paralajmërojë se ‘ përdorimi i AI si armë është rreziku më i madh’, duke shtuar “Unë mendoj se ne do futemi në ekuivalentin e një gare armësh bërthamore me AI. Dhe nëse nuk e ndërtojmë ne, djemtë e tjerë me siguri do e ndërtojnë dhe kështu më pas do përshkallëzohet.”
Në rast se inteligjenca artificiale vendoset në fushën e betejës, kompjuterët mund të lëvizin aq shpejt sa ‘njerëzit nuk mund të ndërmjetësojnë më’, tha drejtori, duke argumentuar se një teknologji e tillë nuk do linte kohë për bisedime paqeje apo armëpushim.
Regjisori i famshëm ka lëshuar paralajmërime të ngjashme në të kaluarën, duke thënë se ndërsa AI ‘mund të jetë shumë e mrekullueshme’, ajo gjithashtu ‘mund të jetë fundi i botës’.
Ai madje shkoi aq larg sa tha se ‘një AI mund të kishte pushtuar botën dhe tashmë po e manipulonte atë, por ne thjesht nuk e dimë’, duke spekuluar se kompjuterët e ndjeshëm ‘do kishin kontroll të plotë mbi të gjitha mediat dhe gjithçka’.