Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi shpall vakancat për 6 anëtarë të KLGJ dhe KLP nga radhët e avokatëve dhe organizatave të shoqërisë civile


Kuvendi i Shqipërisë shpall vakancat për 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilëve u përfundon mandati në Dhjetor 2023.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, mësohet se janë shpallur dhe kanë nisur procedurat për plotësimin e 2 vendeve vakante nga radhët e avokatëve dhe një nga organizatat e shoqërisë civile në KLGJ, si dhe 2 vendeve vakante nga radhët e avokatëve dhe 1 nga organizatat e shoqërisë civile në KLP.

Të interesuarit për të kandiduar dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në legjislacionin përkatës, duhet që brenda datës 5 gusht 2023, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.

Sipas përcaktimeve të nenit 54 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” i ndryshuar, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet si më poshtë:

 

a) të jenë shtetas shqiptarë;

b) të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave”, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit dhe të kenë marrë një diplomë të njësuar, sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuara me ligj;

c) të kenë të paktën 15 vite përvojë pune në profesion si jurist;

d) të kenë një profil të spikatur shoqëror, integritet të lartë moral dhe përgatitje të lartë profesionale në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut;

e) në kohën e kandidimit, të jenë të punësuar ose të angazhuar për të paktën 5 vjet, me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme pa ndërprerje, në një organizatë të shoqërisë civile për fusha të lidhura me sistemin e drejtësisë ose të drejtat e njeriut;

f) në kohën e kandidimit, të mos kenë ushtruar në mënyrë aktive profesionin e avokatit për të paktën 2 vjet, me përjashtim të atyre të angazhuar në organizata ose klinika që ofrojnë ndihmën ligjore falas ose për funksion të organizatës;

g) të mos jenë kandidatë të propozuar nga avokatia ose trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë;

h) të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

i) të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike, gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit;

j) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

k) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës;

Në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.