Vendosni fjalën kyçe....

Meta mbështet thirrjen e Von der Leyen: Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse


Kreu i Partisë së Lirisë, ka reaguar pas thirrjes së Kryetares së Komisionit Evropian për nevojën jetike të rikthimit në dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

Meta thekson se heqja dorë nga Serbia nga veprimet nxitëse të dhunës është e rëndësishme njësoj siç Kosova ka shprehur vullnet konstruktiv.

E mbështes thirrjen e sinqertë të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Është shumë e rëndësishme që Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse të dhunës dhe ashtu siç Kosova e ka shprehur vullnetin konstruktiv, t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara”, shkruan kreu i Partisë së Lirisë.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen para nisjes së takimeve në ditën e dytë të Samitit të NATO-s ka thënë se dy palët, Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen Udhërrëfyesit për të cilën janë pajtuar.

Der Leyen në një deklaratë para mediave u bëri thirrje të dy palëve të de-përshkallëzojnë situatën dhe të përmbushin atë për të cilën kanë rënë dakord.

“Ka një plan të dedikuar dhe të qartë, një udhërrëfyes… U bëj thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë dhe t’i përmbahen udhërrëfyesit. Kjo është absolutisht vitale për të ecur përpara në mënyrë paqësore…Është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord”, tha kryetarja e Komisionit Evropian.