Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshon formati i Superligës shqiptare të futbollit – propozimet e UEFA-s për FSHF-në


Federata Shqiptare e Futbollit ka në plan të ndryshojë formatin e Superligës, kjo duke shtuar numrin e skuadrave. Departamenti i Garave në FSHF organizoi këtë të premte një mbledhje me Drejtorët Sportivë të 10 klubeve të Superligës.

Shqiptarja.com mëson se janë disa propozime që janë diskutuar sot gjatë mbledhjes. Varianti i parë sugjeruar nga UEFA është shtimi i skuadrave garuese në 12, nga 10 që janë për momentin.

Varianti i dytë i diskutuar ishte ai me përgjysmim pikësh dhe një fazë play-off për të mësuar kampionin në Superligë, deri diku i aplikuar në Shqipëri disa sezone më parë në Kategorinë e Parë. Gjithashtu, ideja tjetër është zhvillimi i Superkupës me katër skuadra. Edhe pse në FSHF janë hermetikë sa i takon kësaj teme, fakt është se nga sezoni që vjen Superliga do ketë ndryshime. Sipas të gjitha gjasave, këto ndryshime do jenë për sezonin 2024-2025.

Nesër kreu i FSHF-së, Armand Duka do të presë në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ 10 presidentët e klubeve të këtij kampionati, për të diskutuar këto propozime. Propozimet mbi ndryshimin e mundshëm të formatit të garës vijnë për të rritur më shumë nivelin, shikueshmërinë, të ardhurat nga të drejtat televizive e marketing, si dhe për ta bërë kampionatin sa më tërheqës dhe interesant.

Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar disa javë më parë Departamentit të Garave në UEFA të sjellë disa propozime se si kampionati mund të ndryshojë në vijim.