Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj i jep Çelësin e Qytetit të Tiranës këngëtarit të famshëm spanjoll Enrique Iglesias


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot, pak minuta përpara koncertit në Sheshin Skënderbej, këngëtarin e famshëm, Enrique Iglesias.

Veliaj i dhuroi Iglesias Çelësin e Qytetit, si edhe shprehu kënaqësinë që këngëtari me famë botërore është në Tiranë për të zhvilluar koncertin e tij në kuadër të Javës së kulturës Spanjolle.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Enrique Iglesias është këtu në Tiranë, më vjen mirë që është Java Spanjolle e Kulturës. Vërtet është një kënaqësi e jashtëzakonshme që xhevahiri, ai që është ndoshta produkti më i mirë i Spanjës, i muzikës latine është sot me ne në Tiranë. Jam shumë mirënjohës për kontributin tënd. Për ne është një nder i veçantë sepse promovohet Tirana dhe promovohet Shqipëria. Të falenderoj shumë që pavarësisht se ke një famë të madhe dhe ke një reputacion të jashtëzakonshëm zgjodhe që të vish dhe zgjodhe të jesh pjesë e kësaj feste të jashtëzakonshme mes Spanjës edhe Shqipërisë. Të uroj shumë sukses dhe dua të të jap çelësin e qytetit të Tiranës në emër të të gjithë qytetarëve dhe gjithë fansave të tu, por gjithë atyre që kanë mësuar spanjisht prej këngëve të t’ua dhe këngëve të babait tënd dhe të gjithë atyre që mendojnë se gjuha muzika, arti kultura, i bashkojnë kombet. Sepse besoj që vërtet sot me një luftë që kemi në Europë dhe gjithë situatat e vështira është shumë e rëndësishme të gjejmë gjëra që na bashkon. Dhe muzika, arti, kultura, gjuha e bukur spanjolle është diçka e bukur që na bashkon. Kështu që, të falenderoj shumë dhe dua të marrësh këtë çelës simbolik, si një mënyrë për të treguar që jemi mirënjohës dhe kjo është një shtëpi e dytë. Dhe nëse do kesh ndonjëherë të kthehesh duhet të vish pa trokitur sepse jemi të gjithë krahëhapur për dashurinë tënde dhe për artin tënd”, u shpreh Veliaj.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të jem këtu. Unë jam shume i emocionuar, por edhe pak i stresuar, pak në presion, por jo sepse jam në Shqipëri, por se çdo herë që ngjitem në skenë e ndiej atë presion sepse dua të dhuroj një show të mirë. Sonte do të jetë një natë magjike dhe unë e di që të do të jetë”, tha Iglesias.