Vendosni fjalën kyçe....

Tetë senatorë letër Bidenit, i kërkojnë ta bëjë prioritet situatën në Kosovë


Një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.

Letra që përmban nënshkrimet e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, inkurajon presidentin që të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen për propozimin e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.

Situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Letra e tetë senatorëve amerikanë i bën thirrje Bidenit që “të ushtrojë presion diplomatik, për t’i dhënë fund krizës aktuale”.

Letra përmend edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Senatorët paralajmëruan rishqyrtimin e mbështetjes nga Kongresi, nëse Kosova dhe Serbia “dështojnë të ushtrojnë përmbajtje” dhe “të punojnë për shtensionimin e situatës së sigurisë”.

Ata kërkuan nga administrata Biden që të sigurojë një raport për Senatin e SHBA-së mbi situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ne i vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për qetësimin e krizës, por këto përpjekje nuk janë reciproke sidomos nga Kosova”, thuhet në letër.

Komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës – përfshirë përjashtimin e saj nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja – për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri. BE-ja paralajmëroi shpalljen e masave ndëshkuese për Kosovën gjatë kësaj jave./REL