Vendosni fjalën kyçe....

Policia portugeze djeg 6 ton drogë


Policia portugeze dogji të hënën gjashtë ton kokainë, hashash dhe substanca të tjera për të shënuar ditën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara kundër abuzimit me drogën dhe trafikut të paligjshëm në një kohë që tregtia e paligjshme po lulëzon në mbarë botën.

“Ka më shumë drogë që qarkullon, ka më shumë furnizime nga vendet prodhuese dhe gjithashtu më shumë drogë që sekuestrohet,” u tha gazetarëve në Lisbonë Rui Sousa, kreu i njësisë kundër trafikut të drogës në agjencinë e hetimit penal të Portugalisë (PJ).

Sousa tha se 11 ton kokainë, 30 ton hashash dhe sasi më të vogël të llojeve të tjera të drogës janë kapur në Portugali deri më tani në 2023, tashmë mbi sasitë e kapura vitin e kaluar në tërësi.

Ai tha se pjesa më e madhe e kokainës trafikohej nga Amerika Latine dhe Karaibet, ndërsa hashashi vinte nga Maroku.

Të hënën, oficerët ngarkuan një numër të madh thasësh plot me drogë në disa furgona dhe i çuan në një objekt djegieje pranë Lisbonës, ku u dogjën dhe u shkatërruan 6 ton.

Një raport tjetër i agjencisë së BE-së për drogën me bazë në Lisbonë këtë muaj tha se shkalla dhe kompleksiteti i prodhimit të drogës së paligjshme brenda Evropës po rriteshin dhe se përdoruesit tani ishin të ekspozuar ndaj një game më të gjerë substancash psikoaktive.