Vendosni fjalën kyçe....

BE nis masat kundër krizës për të shpëtuar prodhuesit e verës


Komisioni Evropian këtë javë prezantoi masa urgjente të tregut për të mbështetur prodhuesit e verës në BE, të cilët e kanë gjetur veten të paaftë për të asgjësuar rezervat e tepërta.

Sipas njoftimit të së premtes në faqen e internetit të komisionit, shtetet anëtare, në kuadër të programeve kombëtare të mbështetjes, do jenë në gjendje të përfshijnë distilimin e verës si një masë të subvencionuar për të hequr verën e tepërt nga tregu.

“Kompensimi financiar që do t’i jepet verës së kualifikuar për distilim do kufizohet në një pjesë të çmimeve fundore të tregut,” thuhet në deklaratë.

Komisioni vuri në dukje se industria e verës është goditur nga konsumi i pakëësuar për shkak të inflacionit të lartë të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve, i cili, shoqëruar me një korrje të mirë në vitin 2022, ka çuar në mbiofertë.

Prodhimi i verës në bllok u rrit me 4% nga viti në vit në vitin 2023, ndërsa stoqet fillestare janë 2% më të larta se mesatarja e pesë viteve të fundit.

Komisioni regjistroi rënie të konsumit të verës prej 7% në Itali, 10% në Spanjë, 15% në Francë, 22% në Gjermani dhe 34% në Portugali. Për më tepër, eksportet e verës së bllokut midis janarit dhe prillit 2023 ishin 8.5% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjë që shtoi rritjen e stoqeve.

“Ky kontekst tregu po përkthehet në vështirësi shitjeje për prodhuesit e verës të BE-së, ulje të çmimeve të tregut dhe rrjedhimisht humbje serioze të të ardhurave veçanërisht në rajone të caktuara më së shumti të goditura nga këto tendenca. Gjendja është shumë e fragmentuar në të gjithë BE-në dhe çekuilibri midis ofertës dhe kërkesës në dispozicion është më tepër i përqendruar në rajone dhe verëra të caktuara”, deklaroi komisioni, duke vënë në dukje se më të prekurat janë verërat e kuqe dhe roze nga Franca, Spanja dhe Portugalia.

Masat e miratuara nga komisioni do jenë të përkohshme dhe do duhet të miratohen nga shtetet anëtare. Prodhuesit do kenë më pas kohë deri më 15 tetor 2023 për të distiluar verën e tyre të tepërt. Alkooli i përftuar nga distilimi do duhet të përdoret për qëllime jo ushqimore ‘për të shmangur një shtrembërim të konkurrencës’.