Vendosni fjalën kyçe....

Borrell pas takimeve me Kurtin e Vuçiçin: Ramë dakord për zgjedhje të reja në veri të Kosovës


Përfaqësuesi i BE-së për Politikën e Jashtmë Josep Borrell ka pohuar se udhëheqësit e Kosovës e Serbisë kanë arritur marrëveshjen për të zhvilluar zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

“Për të bërë përpjekje për të ecur përpara, kam nxjerrë në tryezë propozime konkrete dhe në këtë kontekst jemi pajtuar për nevojë për zgjedhjet e reja dhe kemi diskutuar për modalitetet dhe hapat për të arritur atje. Ende nuk kemi arritur atje.” – ka thënë Borrell.

Ai ka dhënë hollësi mbi bisedimet e zhvilluara me kryeministrin e Kosovës Kurti e presidentin serb Vuçiç duke pohuar se ka bërë propozime të prekshme që kanë të bëjnë me tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga ndërtesat e komunave, tërheqjen e kryetarëve si dhe frenimin e protestuesve serbë nga dhuna.

“Kemi shpenzuar më shumë se 4 orë fillimisht me Kurtin dhe më pastaj me Vuçiçin, për të gjetur një zgjidhje. Kemi prezantuar para palëve pritjshmëritë tona. Nga Kosova kemi kërkuar pezullimin e aktiviteteve policore nga objektet komunale dhe kryerjen e detyrave të 4 kryetarëve në lokacione alternative. Ndërsa nga Beogradi kemi kërkuar që të tërheqë protestuesit. Të jemi të qartë, nuk mund të ketë falje për dhunën në protesta, por kjo gjë duhet t’i lihet gjyqësorit.” – ka theksuar Borrell.