Vendosni fjalën kyçe....

Etiketat paralajmëruese në Irlandë në shishet e alkoolit, shqetësohen kompanitë prodhuese evropiane


Paralajmërimet e reja shëndetësore për birrën, verën e pijet e tjera alkoolike nga Irlanda do jenë më të rreptat në botë. Kjo ka ndezur alarmin nga vendet prodhuese të alkoolit që argumentojnë se etiketat do çonin në një pengesë për tregtinë.

SHBA-ja e Meksika kanë ngritur shqetësime mbi legjislacionin përpara mbledhjeve të komitetit të Organizatës Botërore të Tregtisë këtë javë. Argjentina, Australia, Kili, Kuba dhe Zelanda e Re gjithashtu kanë shprehur rezerva për ligjin, të cilin Irlanda e miratoi muajin e kaluar.

Ndërsa Komisioni Evropian i dha Irlandës dritën jeshile, të paktën nëntë vende anëtare prodhuese të verës dhe birrës e kundërshtuan masën.

Etiketat, të cilat hyjnë në fuqi në vitin 2026, do theksojnë rrezikun e sëmundjeve të mëlçisë, kancerit dhe rrezikun e të pirit gjatë shtatzënisë me shkronja të mëdha të kuqe në çdo shishe me pije alkoolike.

Niveli i shqetësimit midis prodhuesve të alkoolit pasqyron shqetësimet se ata mund të goditen si industria e cigareve, ku paralajmërimet kanë evoluar në pamje frikësuese të sëmundjeve të lidhura me duhanin.

Kanadaja muajin e kaluar zbuloi një kërkesë që paralajmërimet shëndetësore të printohen në çdo cigare individuale.

‘Coldiretti’, shoqata më e madhe e fermerëve në Itali, tha se etiketat e planifikuara të alkoolit të Irlandës janë ‘alarmiste’ dhe vendosin një ‘precedent të rrezikshëm’.

Komiteti Evropian i Kompanive të Verës tha se paralajmërimet krijojnë një ‘pengesë të pajustifikuar dhe disproporcionale për tregtinë’.

Ministri irlandez i Shëndetësisë Stephen Donnelly megjithatë ka mbështetur masën.

“Shumica dërrmuese e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për këto rreziqe,” i tha ai transmetuesit kombëtar RTÉ.

“Nëse industria thotë, ‘a nuk do të prisni edhe pak më gjatë’, përgjigja është jo”.

Vdekjet nga alkooli

Irlanda renditet e 20-ta nga 48 vende për konsumin e alkoolit, siç matet nga OECD bazuar në të dhënat paraprake të vitit 2021.

Sipas Departamentit të Shëndetësisë, në vitin 2019, pothuajse një në çdo 20 vdekje i atribuohej alkoolit, ndërsa nivelet e lehta deri të moderuara të pirjes shkaktuan pothuajse 23,000 raste të reja me kancer në 2017.

Komisioni Evropian vlerësoi legjislacionin gjatë vitit të kaluar dhe nuk ngriti një kundërshtim sepse Irlanda tregoi se objektivat e shëndetit publik justifikojnë ligjin, sipas një zëdhënësi të organit me bazë në Bruksel. Komisioni vlerësoi se ndikimi në tregun e përbashkët të BE-së nuk ishte aq i rëndësishëm sa të ishte një shqetësim.

Në shkurt, nëntë vende, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën, i kishin dërguar Komisionit Evropian një letër duke kërkuar që Komisioni Evropian të kontrollonte ligjshmërinë e ligjit të Irlandës.

“Kjo krijon një precedent të dëmshëm për lëvizjen e lirë të produkteve në shtetet e ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian”, thuhet në letrën e nëntë vendeve, të siguruara nga Bloomberg Neës. Kombet e tjera ishin Bullgaria, Republika Çeke, Greqia, Sllovakia, Portugalia dhe Hungaria.

Për ta bërë më të lehtë për industrinë, Irlanda do lejojë që paralajmërimet të bëhen përmes afisheve. Ligji kërkon gjithashtu një pamje të kryqëzuar të një gruaje shtatzënë duke pirë, si dhe informacion se sa kalori dhe sa alkool përmban pija.

Irlanda ka reputacionin për të qenë pioniere në çështjet shëndetësore. Në vitin 2004, vendi u bë i pari që ndaloi duhanin në vendet e punës, baret dhe restorantet. Lëvizja ishte shumë e diskutueshme në atë kohë, por është ndjekur në të gjithë Evropën dhe në shumë vende të tjera.

Shumë lojtarë të industrisë së alkoolit, si Komiteti Evropian i Kompanive të Verës, argumentojnë se paralajmërimet nuk arrijnë të bëjnë dallimin midis abuzimit të alkoolit dhe konsumit të moderuar.

Megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk ka asnjë sasi të sigurt të konsumit të alkoolit që nuk ndikon në shëndetin. Alkooli shkakton të paktën shtatë lloje të kancerit, duke përfshirë llojet më të zakonshme të kancerit, si kanceri i zorrëve dhe kanceri i gjirit femëror, sipas agjencisë.

Frank Murray, një konsulent hepatolog dhe kryetar i Alcohol Action Ireland, tha se provat që lidhin alkoolin me kancerin, pirjen gjatë shtatzënisë dhe dëmtimin e mëlçisë janë të qarta.

OBT krijoi një precedent të fortë në vitin 2018, kur krahu i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të organit tregtar mbështeti të drejtën e Australisë për të vendosur kufizime të etiketës së thjeshtë në shitjen e produkteve të duhanit – diçka që u kundërshtua ashpër nga industria e cigareve.

Në atë kohë, Philip Morris International Inc. dhe Japan Tobacco Inc. paralajmëruan se rregulla të tilla mund të krijojnë një precedent për vendet e tjera për të zbatuar rregulla të reja etiketimi për alkoolin.

Gazeta British Medical Journal dikur i përshkroi pijet dhe vendet e punës pa duhan të Irlandës si një ‘sukses’.