Vendosni fjalën kyçe....

Begaj falenderon për të fundit herë ambasadoren Kim për rolin e saj diplomatik në Shqipëri


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me rastin e përfundimit  të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Begaj e falënderoi Ambasadoren Kim për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në Shqipëri.

Gjithashtu Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin domethënës të Ambasadores Kim në avancimin e reformës në drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.

Presidenti Begaj falënderoi Ambasadoren Kim për angazhimin e saj në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendit tonë dhe SHBA-së, por edhe për rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri.

Presidenti Begaj duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, shprehu besimin se Ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.