Vendosni fjalën kyçe....

Xi pret Bill Gates


Presidenti kinez Xi Jinping tha të premten se themeli i marrëdhënieve Pekin-Uashington ‘qëndron në lidhjet mes njerëzve’.

Xi i bëri komentet pasi priti miliarderin Bill Gates, themelues i Microsoft dhe bashkëkryetar i ‘Fondacionit Bill dhe Melinda Gates’, në Pekin.

“Ju jeni miku i parë amerikan që kam takuar në Pekin këtë vit”, i tha Xi Gates, sipas Xinhua News.

Gates, 67 vjeç, mbërriti në Kinë të mërkurën për vizitën e tij të parë në superfuqinë globale në katër vjet. Ai e ka vizituar Kinën 18 herë deri tani.

“Ne gjithmonë kemi shpresë te populli amerikan dhe shpresojmë që popujt e dy vendeve tona do e ruajnë miqësinë e tyre”, tha Xi.

Takimi vjen në mes të atyre që Pekini i quan ‘vështirësi të reja’ me të cilat përballen marrëdhëniet dypalëshe me Uashingtonin.

Ndërsa bota po largohet nga pandemia Covid-19, Xi tha: “Njerëzit duhet të lëvizin më shumë, të komunikojnë më shumë dhe të përmirësojnë mirëkuptimin.”

“Kina përqendrohet fillimisht në zgjidhjen e mirë të problemeve të saj,” tha ai, duke shtuar: “Stabiliteti afatgjatë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Kinës është një ndihmë e madhe për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin botëror.”

Xi theksoi se Kina ‘nuk do kërkojë kurrë hegjemoninë, por do punojë me vendet e tjera për të arritur zhvillim të përbashkët dhe për të nxitur ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin’.

Për Gates dhe fondacionin e tij, Xi tha: “Kina është e gatshme të punojë me të dhe fondacionin e tij për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit në fushat përkatëse dhe për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për vendet e tjera në zhvillim. Kina është e gatshme të kryejë bashkëpunim të gjerë shkencor dhe teknologjik për inovacionin me të gjitha vendet në botë dhe të marrë pjesë aktive dhe të promovojë sfidat globale si ndryshimi i klimës, parandalimi i epidemive dhe shëndeti publik”, tha Xi.

Pas mbërritjes së tij në Kinë, Gates tha se do vizitojë partnerët e fondacionit të tij, të cilët kanë punuar për sfidat globale të shëndetit dhe zhvillimit për më shumë se 15 vjet.

“Zgjidhja e problemeve si ndryshimi i klimës, pabarazia shëndetësore dhe pasiguria ushqimore kërkon risi. Nga zhvillimi i ilaçeve të malaries te investimi në përshtatjen klimatike, Kina ka shumë përvojë në këtë. Ne duhet ta zhbllokojmë atë lloj përparimi për më shumë njerëz në mbarë botën,” tha ai në Twitter.