Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim në Njësinë 8: Berisha shkaktar i gjendjes në PD, për të mbuluar dështimin e izolimin e tij rinisi sulmet ndaj meje


Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me mbështetës demokratë në Njësinë 8 në Tiranë.

Basha akuzoi kreun e Rithemelimit Berisha duke theksuar se ka shpifur e mashtruar dhe se për interesa personale e të familjes së tij godit PD-në.

Sipas ish-kryedemokratit Berisha ka rinisur të njëjtat sulme për të mbuluar dëshimin e izolimin e tij teksa ndan favoret, lejet e ndërtimit e tenderat me oligarkët e përbashkët me Edi Ramën.

“Në zemër të Tiranës, te Dega nr. 8, ndalova për një kafe me miq dhe qëndrestarë të Partisë Demokratike. Zhvilluam një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, ku i’u përgjigja pa asnjë hezitim pyetjeve, interesit dhe shqetësimeve të tyre të natyrshme pas një viti heshtje nga ana ime dhe të mbushur me shpifje e mashtrime nga ai që, për interesa personale dhe të familjes së tij, vendosi të godasë Partinë Demokratike. Për të mbuluar dështimin dhe izolimin e tij, ka rinisur të njëjtat sulme, atë që bën ndaj kujtdo që nuk e kontrollon dot. Natën ndan favoret, lejet e ndërtimit, tenderat, përmes oligarkëve të përbashkët me Edi Ramën, ditën del dhe akuzon të tjerët.” – shkruan Basha.

Më tej Basha thekson se Berisha është shkaktari i gjendjes në PD pasi u shpall non grata nga SHBA-ja për korrupsion e minim të demokracisë.

Në fund ish-kreu i PD-së shkruan në Faceboook se demokratët janë sot më të qartë se nuk mund të fitojnë pa një aleancë me SHBA-në, Britaninë e BE-në dhe se hallet personale të Berishës s’mund të kthehen në pengesë për demokratët e shqiptarët.

“Ndryshe nga ai që është shkaktari i kësaj situate në PD, pasi është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë, unë bëra një hap pas, sepse nuk doja një luftë të brendshme, i bindur se prej saj përfitojnë vetëm kundërshtarët! Por ja ku jemi. Asgjë s’ka ndryshuar, madje situata është edhe më keq për demokratët dhe shqiptarët. Prandaj e ndjej për detyrë t’i përkushtoj energjitë e mija tek një opozitë në shërbim të njerëzve dhe jo interesave të një grupi që ka 30 vjet që përfiton prej saj. Demokratët sot janë më të qartë se kurrë, që nuk mund të fitojnë pa një aleancë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian, dhe se hallet personale nuk mund të kthehen në pengesë për demokratët dhe shqiptarët që duan ndryshimin.” – mbyll shënimin Basha.