Vendosni fjalën kyçe....

Harta e re gjyqësore, Kryeprokurori te ‘Ligjet’: Nuk kemi hasur probleme serioze në funksionimin e saj, sfidë mbetet infrastuktura


Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, pasditen e sotme, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela foli për nevojën e mbështetjes me fonde për të ndërtuar infrastrukturën e re e cila është bërë e domosdoshme me implementimin e hartës së re gjyqësore.

“Si prokuroria e apelit dhe e rrethit gjyqësor procesi ka shkuar normalisht dhe nuk kemi pasur probleme serioze në funksionin e tyre por sfidë mbetet krijimi i infrastrukturave në 5 vitet e ardhshme. Pra në fund të 5 viteve të marrim masa që hapësirat që kemi të jenë të mjaftueshme për funksionimin normal të zyrave.

Disa nga zyrat që janë problematike, mund të them prokuroria dhe gjykata e Tiranës, Durrësi, kemi Fierin problem. Po punojmë me Dibrën e Sarandën dhe Lezhën për të gjetur zgjedhje. Pa diskutim që këto kërkojnë fonde,” tha Çela

Sa i takon Tiranës, Çela tha se i ka kërkuar bashkisë shesh ndërtimi.

Problemi më i mprehtë për disa vite do të mbetet Tirana. Nga kontaket që kemi marrë me bashkinë e Tiranës është marrë angazhimi të na sigurohet një shesh ndërtimi që të kemi një godinë të re të madhe funksionale për prokurorinë e gjykatën. Jemi në fazën e parë. Angazhimi është por problem mbeten fondet e nevojshme për të investuar në këto godina,” vijoi Çela.

Në vlerësimin e kryeprokurorit harta e re gjyqësore po funksionon.

Po bashkëpunojmë me ministrinë e Drejtësisë dhe KLP. Sa i takon situatës së prokurorive që kanë ndikuar nga harta gjyqësore procesi ka vijuar normalisht” tha ai

Me implementimin e hartës së re gjyqësore pati një reduktim të ndjeshëm të gjykatave dhe prokurorive dhe transferimin e punës në prokurori dhe gjykata më të mëdha të vendit.