Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite dëshiron që shtetet afrikane të prodhojnë më pak naftë – WSJ


Arabia Saudite, udhëheqësi joformal i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), thuhet se po përpiqet të negociojë një pakësim të kuotave të prodhimit me prodhuesit më të vegjël në Afrikë, ka raportuar Wall Street Journal, duke cituar persona të njohur me këtë çështje.

Ministri saudit i Naftës, Princi Abdulaziz bin Salman diskutoi këtë çështje me disa delegatë afrikanë në suitën e tij të hotelit në Vjenë të shtunën, thanë burimet e paidentifikuara për gazetën, duke theksuar se ata u larguan nga bisedimet pa një marrëveshje.

Në të njëjtën kohë, Riadi thuhet se po diskutonte një rritje të mundshme të kuotave të prodhimit të naftës me Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër anëtar me ndikim i kartelit të naftës.

OPEC dhe aleatët e tij, të njohur si OPEC+, po takohen këtë fundjavë në selinë e grupit në kryeqytetin austriak. Delegatët po planifikojnë të marrin vendime të reja për një plan prodhimi.

Burime të paidentifikuara të njohura me diskutimet i thanë më parë Reuters se shkurtimet shtesë të prodhimit deri në një milion fuçi në ditë (bpd) do të diskutoheshin, ndër opsionet e tjera, në seancën e ardhshme.

Më vete, guvernatori iranian i OPEC-ut, Amir Hossein Zamaninia i tha agjencisë së lajmeve AFP se të gjitha munddësitë në lidhje me shkurtimet e mëtejshme të prodhimit mbeten ‘në tavolinë’.

Çmimet globale të naftës së papërpunuar kanë rënë me më shumë se 20% që kur vendet e OPEC+ ndërmorën hapat e tyre të parë drejt uljes së prodhimit në tetor 2022. Masa, e cila hyri në fuqi në nëntor, pritej të hiqte rreth dy milionë fuçi në ditë nga tregu.

Në prill, grupi ra dakord për kufizime të tjera, të cilat hynë në fuqi në maj dhe do zgjasin deri në fund të vitit 2023. Vëllimi i përgjithshëm i naftës që largohej nga tregjet globale pritej të ishte 1.66 milionë fuçi në ditë.