Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltarët i kërkojnë përsëri mbledhje jashtë radhe, Dritan Leli: Masat anti-COVID janë ende në fuqi


Nuk kanë të sosur përplasjet mes kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli dhe këshilltarëve të Këshillit Bashkiak.

Mësohet se këta të fundit kanë kërkuar përsëri sot mbledhje jashtë radhe me kreun e Bashkisë, por Leli iu ka kujtuar atyre se masat anti-COVID janë ende në fuqi.

Leli në përgjigjen e tij, u thotë anëtarëve të Këshillit Bashkiak se tema që ata kërkojnë të diskutojnë sot, mund të futet në rendin e ditës në mbledhjen e parashikuar të mbahet më 24 qershor.

“…Duke besuar në mirëkuptimin tuaj dhe vlerësuar kërkesën për mbledhje në funksion të përmirësimit të punës së Administratës së Bashkisë në shërbim ndaj qytetarëve do të sugjeronim që duke qenë se në datë 24.06.2021 është mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkisë online në platformën Zoom sipas njoftimit me nr.9624 prot, datë 21.06.2021, në këtë mbledhje t’i bashkohet rendit të ditës edhe rendi i ditës së mbledhjes jashtë radhe të datës 22.06.2021.

Nëse ju vlerësoni se mbledhja jashtë radhe e kërkuar nga ana juaj sipas rendit të ditës të parashikuar të zhvillohet e veçantë në datën 22.06.2021 në sallën e teatrit ‘Petro Marko’ kjo nuk mund të zhvillohet veçse online pasi janë në fuqi masat e parashikuara nga grupi i ekspertëve për parandalimin e COVID-19.
Ju kujtojmë se bazuar në masat anti COVID të përcaktuara nga Komisioni i Ekspertëve, zhvillimi i takimeve në ambiente të mbyllura do të ndryshojë pas datës 01.07.2021.”-
 thuhet në përgjigjen e Lelit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *