Vendosni fjalën kyçe....

Patriotët që kam njohur unë


Nga Flavio Qarri

Patriotët që kam njohur unë kanë bërë lek me Amerikën por nuk ia kishin shumë besën, veç nevojën.

Patriotët që kam njohur unë e donin bashkimin me Kosovën edhe kur nuk ta lejonte Europa as si bisedë. Edhe pse Europa ishte Kurva Plakë.

Patriotët që kam njohur unë, Albinin e kishin gjithçka. E kishin idhull të patriotizmit të përkorë ideologjik. E kishin zili. E kishin objekt të ëndrrave politike dhe erotike.

Patriotët që kam njohur unë rrihnin gjoksin se si zgjidhej çështja Çame. E bënin për 5 vite thoshin juristopatriotët se ishte çështje juridike dhe jo politike.

Patriotët që kam njohur unë nuk ngopeshin me Rama ik, donin “Rama ra”.

Patriotët që kam njohur unë donin vetëm një karrige në Kuvend dhe do bënin namin. Patriotët që kam njohur unë për marrëveshjen e parë të detit na lanë nëpër komisariate. Pastaj…

Pastaj ata patriotë nuk i njoha më. Marrëveshja e dytë e detit edhe pse falte trefish nuk ia vlente më si kauzë.

Ata që bënin sikur do futeshin në parlament por e lanë për herë tjetër se kush rrinte bënte deklarimin e pasurive (kush dreqin i kalonte nëpër emra të tjerë).

Ata patriotë që urrejnë Ramën por ia adhurojnë gruan për klasin dhe të qënit zonjë. Ata që dashuronin Berishën si ”Burrë Shteti” dhe dridheshin se mund ta takonin nga afër por sot janë të bindur që ai e ka fajin për çdo gjë në Ballkan në 50 vitet e fundit.

Nuk i njoha më kur na tregojnë se Albini po bën gabim. Askush nuk e di çfarë gabimi tamam tamam por Albini duhet të ikë. Albini nuk është patriot sipas patriotëve që kam njohur por nga Tirana e Ballkanit të Hapur, Albini goxha koherent po duket. Nuk do ia fal Rama që ia grisi projektin që ia imponuan. Dhe këtu nuk na shqetëson pozicioni i tij.

Jo Rama nuk ka blerë askënd. Për të njëjtën arsye që kur policia i kap prostitutat, klientët i lë gjithnjë të lirë. Falë zotit nuk njohim më kësi patriotash.