Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Pa bashkim s’e mundim dot Ramën, kush do të largojë Berishën ta mundë me votë


Ish-kandidati i opozitës për Tiranën, Belind Këlliçi, tha se humbja në zgjedhjet e 14 majit  ishte edhe rezultat i konfliktit të brendshëm në PD ndërsa theksoi se pa bashkimin e partisë dhe gjithë demokratëve, Edi Rama nuk mundet.

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, ai renditi arsyet sipas tij pse gara e Tiranës ishte e pabarabartë duke përmendur financat, logon, përdorimin e paligjshëm të pushtetit nga kundërshtari, minutazhi 8 herë më pak në disa media, mungesa e komisionerëve, numëruesve etj.

Këlliçi tha gjithashtu se ata që duan të largojnë Berishën, duhet ta mundin me votë.

“Nuk e prisja këtë rezultat. Kam pritur një reagim më të madh të qytetarëve, edhe pse kam qenë i vetëdijshëm që kam hyrë në një garë të pabarabartë. Por, patjetër që PD ka patur problemet e saj, prandaj nuk u krijua ajo valë qytetarësh që unë do të kisha dëshiruar, që të kishin dalë 60-70% që të mundnin këtë makineri. Pra, mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ka qënë vetëm për shkak të shantazhit, shitblerjes së votës, por ka qenë edhe një pjesë e tyre të bindur që nuk do të fitonim dot për shkak të situatës sonë.“ – tha Këlliçi.

Ai shtoi se ‘pa u ulur të gjithë, pa vënë gishtin në plagë, pa gjetur menyrën sesi të bashkojmë çdo factor, si të krijojmë një lëvizje sa më të madhe të së djathtës, ku të bëhen pjesë të gjithë faktorët opozitarë për të rrëzuar Edi Ramën, nuk do kemi sukses’.

Lidhur me gjendjen në PD, Këlliçi tha se nuk ka mandat për të negociuar ndërsa theksoi se nuk ka ambicie për të garuar për kreun e partisë.

“Nuk kam mandat për të negociuar. Nuk është trajtuar si çështje negociimi, por është ngritur si çështje që duhet të gjejmë një rrugë të përbashkët, duhet të gjejmë një zgjidhje përsa kohë biem dakord që kundërshtar kemi Edi Ramën. Nuk kam ambicie për të drejtuar PD-në. Nuk i shërbej kësaj ambicieje. Ambicia ime e vetme është fitorja e zgjedhjeve, mundësisht para vitit 2025 për të rrëzuar Edi Ramën. Kjo është ambicia ime më e madhe.” – tha ai.

Këlliçi u tregua i ashpër me pjesën e PD-së së Alibeajt që sipas tij ndihmuan në përçarjen e mëtejme të opozitës. Ai akuzoi kandidatin Roland Bejko se ishte produkt i blerjes së PD zyrtare nga Erion Veliaj. “Axhenda e tyre i shërbeu një mandati të tretë të Erion Veliajt. Në politikë nuk ka të bëjë vetëm aritmetika, por edhe fryma. Nëse do të kishim vetëm një kandidat, do të kishte një frymë tjetër. Në Tiranë, për shkak se është Erion Veliaj këtu dhe paguan shumë Erion Veliaj, është bërë gjithçka që të dilet me dy kandidatë dhe të krijohet kjo frakturë. Në Tiranë është bërë gjithçka për të siguruar mandatin e tretë të Erion Veliajt. Kjo nga pjesë të caktuara, se jo të gjithë I fus në një thes, segmente të caktuara. PD zyrtare doli me një kandait në Tiranë për t’i lehtësuar mandatin e tretë Erion Veliajt” – tha Këlliçi për emisionin “Pa Censurë”.

Në fund të intervistës Këlliçi tha se bashkimi në PD duhet bërë, por me Berishën kryetar të saj duke ftuar të gjithë ata që duan largimin e tij, ta mundin me votë.

“Edhe Gazment Bardhi, edhe Jorida Tabaku të vërtetën thonë, se duhet të ulemi për një bashkim dhe unifikim të opozitës për të folur për një bashkim të opozitës, ku fokusi kryesor duhet të jetë rrëzimi i Edi Ramës dhe lufta me njëri-tjetrin. Opozita bashkohet nga ata drejtues që anëtarët i zgjedhin vetë për t’i drejtuar. Të futen dhe të provojnë veten me votë. Duhet pranuar mekanizmi i votës. Secili ka aksionet e veta. Pse i thuhet ik një njeriu që ka aksionet më të mëdha? Atëherë eja dhe munde.” – tha Këlliçi.

Ai pohoi pamjaftueshmërinë e Berishës për të sjellë në pushtet PD, por nuk vë në diskutim lidershipin e tij.

“Jo, zoti Berisha nuk është i mjaftueshëm për të çuar PD në fitore. Duhet shumë herë më shumë se ai. Ata që nuk e pranojnë janë shpallur non grata nga baza. Të zbresin në bazë dhe të pyesin bazën. Të shohin realitetin në terren. Këta nuk pranojnë votën. Futu dhe munde Berishën me votë. Mendoj që një politikan e largon vota. Në PD kushdo që do të largojë Berishën, ta mundë me votë.” – mbylli intervistën për emisionin “Pa Censurë”, Këlliçi.