Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë ndodhi sot në Kosovë, përleshje të ashpra në veri, plagosen 25 ushtarë të KFOR-it (Video)


Të paktën 25 ushtarë të KFOR-it janë lënduar nga përplasjet me demonstruesit serbë në veri të Kosovës teksa trazirat për vendosjen e kryebashkiakëve të sapozgjedhur shqiptarë vazhdojnë.

Gaz lotsjellës dhe granata trullosëse u përdorën për të penguar protestuesit në qytetin e Zveçanit, pasi ata u përpoqën të hynin në një ndërtesë të qeverisë lokale.

Ushtarët e NATO-s formuan gjithashtu një kordon sigurie rreth dy bashkive të tjera. Sipas medias italiane ‘La Repubclica’ të lënduar kanë mbetur 41 ushtarë, 11 prej të cilëve italianë.

Ushtarët e KFOR-it në Zveçan fillimisht u përpoqën të ndanin protestuesit nga policia, por më vonë shpërndanë turmën duke përdorur mburoja dhe shkopinj, raportoi AFP.

Disa protestues hodhën gurë dhe bomba molotov mbi ushtarët, njoftoi agjencia.

NATO i quajti sulmet ‘krejtësisht të papranueshme’ duke shtuar në një deklaratë se u bëri thirrje të gjitha palëve ‘të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të përfshihen në dialog’.

Presidenti serb Aleksander Vuçiç e vendosi ushtrinë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake në përgjigje të protestave të reja. Ai i zhvendosi njësitë e ushtrisë afër kufirit të Kosovës të premten, pas përleshjeve të ngjashme.

Tensionet e ditëve të fundit nisën pasi serbët e Kosovës braktisën zgjedhjet lokale të prillit në katër komunat veriore që janë me shumicë serbe. Zgjedhjet u fituan nga kandidatët shqiptarë.

Beogradi mbështeti bojkotin, gjë që çoi që në zgjedhje të merrnin pjesë vetëm 3.47% e votuesve.

Ambasadori amerikan në Kosovë Hovenier tha se dhuna është e papranueshme dhe se palët duhet të ulen menjëherë në tryezën e bisedimeve për të rivendosur qetësinë ndërsa pohoi se ka një marrëveshje me kryeministrin Kurti për zbutjen e tensioneve por pa treguar mënyrën si do bëhet kjo.