Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtari i rëndësishëm rus akuzohet për tradhti, dyshohet se i dha informacione sekrete Kinës


Drejtori i një instituti të lartë shkencor rus, i arrestuar me dyshimin për tradhti së bashku me dy ekspertë të tjerë të teknologjisë së raketave hipersonike, akuzohet për tradhti të sekreteve në favor të Kinës, thanë për Reuters dy persona të njohur me rastin.

Alexander Shiplyuk, kreu i Institutit ‘Khristianovich’ të Mekanikës Teorike dhe të Aplikuar (ITAM) të Siberisë, dyshohet se ka dorëzuar material sekrete në një konferencë shkencore në Kinë në vitin 2017, thanë burimet.

56-vjeçari ka mohuar akuzat ndaj tij dhe këmbëngul se informacioni në fjalë nuk ishte sekret dhe ishte i disponueshëm lirisht në internet, sipas njerëzve, të cilët Reuters ka zgjedhur të mos i identifikojë për të mbrojtur sigurinë e tyre.

“Ai është i bindur për faktin se informacioni nuk ishte sekret dhe për pafajësinë e tij”, tha një nga personat.

Natyra e akuzave ndaj drejtorit të ITAM, i cili u arrestua gushtin e kaluar, nuk është raportuar më parë. Lidhja kineze do e bënte Shiplyuk të fundit në një varg shkencëtarësh rusë që janë arrestuar vitet e fundit për gjoja tradhti në favor të Pekinit.

I pyetur në lidhje me akuzat me të cilat përballen ekspertët e ITAM-it si dhe për rastet e mëparshme të tradhtisë të lidhura me Kinën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se shërbimet e sigurisë ishin vigjilente për rastet e mundshme që lidhen me ‘tradhtinë ndaj atdheut’.

“Kjo është punë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.

“Po vazhdon vazhdimisht dhe vështirë se është e mundur të flitet këtu për ndonjë lloj tendence.”

Shërbimi i sigurisë FSB nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Ministria e Jashtme e Kinës, e pyetur në lidhje me pretendimet se Pekini kishte vënë në shënjestër shkencëtarët rusë për të marrë informacione e kërkime të rëndësishme shkencore, tha se marrëdhëniet kino-ruse bazoheshin në ‘mosangazhimin, mospërplasjen dhe mosshënjestrimin e palëve të treta’.

“Kjo është thelbësisht e ndryshme nga ajo që disa aleanca ushtarake dhe inteligjente kanë bashkuar bazuar në mentalitetin e tyre të Luftës së Ftohtë,” shtoi ai.

Presidenti Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia është një lider botëror në raketat hipersonike, armët më të fundit të afta të mbajnë ngarkesa deri në 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit për të goditur sistemet e mbrojtjes ajrore.

Rastet e ITAM-it, si dhe arrestimet e mëparshme për tradhti, sugjerojnë se Moska është vigjilente për humbjen e çdo përparësie teknologjike, duke përfshirë Kinën, një aleate te e cila ajo është bërë gjithnjë e më e mbështetur për mbështetjen politike dhe tregtare që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës 15 muaj më parë.

Vitin e kaluar, specialisti i lazerit Dmitry Kolker u arrestua në Siberi me akuza për tradhti, por vdiq dy ditë më vonë nga kanceri. Avokati i tij Alexander Fedulov i tha Reuters javën e kaluar se Kolker u akuzua për dhënien e sekreteve te Kina, një pretendim që familja e shkencëtarit e mohoi.

Alexander Lukanin, një shkencëtar nga qyteti siberian Tomsk, u arrestua në vitin 2020 me dyshimin se i kishte kaluar sekretet e teknologjisë Pekinit, njoftoi në atë kohë agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS. Vitin e kaluar ai u dënua me shtatë vjet e gjysmë burg.

Valery Mitko, një shkencëtar që drejton Akademinë e Shkencave të Arktikut në Shën Petersburg, u akuzua gjithashtu në vitin 2020 për transmetimin e sekreteve në Kinë, ku ai kishte udhëtuar rregullisht për të dhënë leksione, tha TASS në atë kohë. Ai vdiq dy vjet më vonë në moshën 81 vjeçare teksa ishte në arrest shtëpiak.

‘Akuza shumë të rënda’

Në sfondin e luftës në Ukrainë, parlamenti rus votoi muajin e kaluar për të rritur dënimin maksimal për tradhti në burgim të përjetshëm nga 20 vjet që ishte deri në atë kohë. Të martën, kreu i Komitetit të Sigurisë në dhomën e ulët të parlamentit të Rusisë mbështeti një projektligj që shtrëngon qasjen në sekretet shtetërore, duke thënë se 48 rusë ishin dënuar për tradhti midis 2017 dhe 2022.

Rastet me të cilat përballet Shiplyuk dhe dy kolegët e tij ITAM – Anatoly Maslov dhe Valery Zvegintsev – janë sekrete të larta dhe do gjykohen me dyer të mbyllura. Një seancë dëgjimore në rastin e Maslovit, i pari nga tre të arrestuarit, në qershor të vitit të kaluar, do zhvillohej në Shën Petersburg të mërkurën.

Zvegintsev u arrestua muajin e kaluar. Hetimet ndaj tre shkencëtarëve u bënë tituj botërorë javën e kaluar kur kolegët e tyre në ITAM nënshkruan një letër të hapur në mbështetje të tyre, duke u ankuar se ishte e pamundur për shkencëtarët të bënin punën e tyre nëse rrezikonin të arrestoheshin për shkrim artikujsh ose prezantime në konferenca ndërkombëtare.

Letra hodhi poshtë idenë që të tre mund të kishin tradhtuar sekrete, duke thënë se të gjitha materialet që kishin publikuar ose prezantuar ishin kontrolluar me rigorozitet për t’u siguruar që ato nuk ishin të klasifikuara.

Zëdhënësi i Kremlinit Peskov, i pyetur nga gazetarët javën e kaluar për letrën e hapur, tha: “Ne e kemi parë këtë apel, por shërbimet speciale ruse po punojnë për këtë. Ata po bëjnë punën e tyre. Këto janë akuza shumë të rënda.”

ITAM, i vendosur në kampusin shkencor Academgorodok pranë qytetit të Novosibirsk, thotë në faqen e tij të internetit se është i regjistruar si pjesë e kompleksit ushtarak-industrial të Rusisë. Instituti ka pasur lidhje të gjera ndërkombëtare, duke përfshirë kontakte me kompani, universitete dhe qendra kërkimore në të gjithë botën, sipas një dokumenti në internet të vitit 2020 që përshkruante punën e tij.

Midis institucioneve të listuara ishte Qendra e Kërkimit dhe Zhvillimit të Aerodinamikës së Kinës (CARDC), faqja e internetit e së cilës përfshin disa postime që u bëjnë jehonë përparimeve eksperimentale në lidhje me avionët luftarakë dhe raketat hipersonike.

Faqja CARDC e emëron drejtorin e qendrës si Wang Xunnian. Sipas dy faqeve zyrtare të qeverisë lokale kineze, Wang është një Gjeneral Major në Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA).

Një rishikim i Reuters i punimeve akademike kineze të disponueshme publikisht tregon se studiuesit e qendrës kanë qenë bashkëautor në vitet e fundit me dhjetëra shkrime me kolegë që punojnë në institute të drejtuara drejtpërdrejt nga PLA.

CARDC nuk iu përgjigj pyetjeve me email drejtuar qendrës dhe Wang, ndërsa Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte drejtpërdrejt me Wang.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani