Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet ne Greqi, 5 të arrestuar për tentativë blerje votash


Pesë persona janë arrestuar në Greqinë veriore me akuza për mashtrime zgjedhore përpara zgjedhjeve kombëtare të vendit, njoftoi të dielën Agjencia e Lajmeve të Athinës.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Qarkut të Thesalisë, arrestimet kanë ndodhur në orët e vona të së shtunës, ku efektivët kanë sekuestruar 197 karta identiteti, pasaporta, dy fotokopje të kartave të identitetit dhe një çantë me 114 zarfe të mbyllura, ku secili përmbante një kartë të një kandidati për deputet dhe pesë fletë votimi me emrin e kandidatit tashmë të shënuar, shkruan In.gr.

Materialet janë gjetur në një veturë në pronësi të njërit prej të dyshuarve. Dy prej të arrestuarve iu gjet edhe një shumë prej 6060 eurosh. Agjencia e Lajmeve të Athinës raportoi se hetimi kishte zbuluar prova të një tentative për blerje votash.

Të arrestuarit, të cilët sipas informacioneve janë romë, posedonin fletë votimi të kryqëzuara dhe një shumë parash për blerje votash, thuhet në njoftimin e EL.AS.

“Pesë shtetas janë arrestuar mbrëmjen e djeshme, të shtunën më 20 maj 2023, nga punonjës të policisë së OPKE-së, në zonën e Karditës, për shkelje të legjislacionit zgjedhor. Më konkretisht, gjatë një kontrolli, në një automjet në pronësi të njërit prej të arrestuarve, u gjetën 197 karta identiteti, një pasaportë, 2 fotokopje karta identiteti si dhe një çantë me 114 zarfe të mbyllura. Nga ana e Departamentit të Sigurimit të Kardicës, i cili po kryen hetimet paraprake përkatëse, janë konfiskuar të gjitha sendet e gjetura më sipër, pasi nga hetimet janë konstatuar prova të afrimit të zgjedhësve brenda vendbanimit për të votuar kundrejt një shume parash kandidatin për deputet.Për ngjarjen është vënë në dijeni Prokuroria e Karditës.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë sipas medias greke.