Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i kreut të KZAZ-së në Elbasan: KQZ më kërkoi të plotësoj tabela të tjera nga ato që kishin printuar pajisjet


Kreu i i një KZAZ-je në Elbasan ka denoncuar disa raste parregullsish sipas tij gjatë zgjedhjeve të 14 majit.

Në një konferencë për shtyp, Anton Prekaj tha se në KZAZ-në e drejtuar prej tij, 72 pajisje elektronike kanë qenë pa vulë sigurie.

Po kështu ai denoncoi se KZAZ-së i është kërkuar që të plotësojë tabela të tjera rezultatesh, të ndryshme nga ato që janë printuar nga pajisjet e votimit dhe që janë certifikuar më herët për rezultatin në dy qendra votimi.

“Jam këtu në cilësinë e kryetarit të Komisioni Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) nr 47 të Bashkisë Elbasan, për të denoncuar parregullsitë dhe shkeljet e vërejtura në të gjitha etapat e procesit  zgjedhor në këtë KZAZ. Konkretisht: Nga Komisionet e Qendrave të Votimit janë dorëzuar në KZAZ 47, 72 pajisje elektronike të votimit dhe numërimit (PENV), pa vulë sigurie, shkelje e rëndë kjo e pasqyruar në pr verbalet përkatëse të dorëzuara në KQZ. Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor ne 47, ka certifikuar rezultatin e nxjerrë nga operatorët, të cilat janë depozituar në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve KQZ. Ditën kur janë dorëzuar tabelat e rezultateve dhe tabelat përmbledhëse në KQZ, na është kërkuar që të plotësojmë tabela të tjera me rezultate të ndryshme nga ato që Pajisjet e Votimit kanë printuar dhe ne i kemi certifikuar më parë për Qendrat e Votimit Nr. 2481/1 dhe 2483. Pretendimi i tyre ka qenë sepse pajisja e dorëzuar ka të dhëna të tjera nga ato që ne kishim certifikuar me Vendim unanim të KZAZ 47. Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe që ngre shumë dyshime.” – tha Prekaj.

Kreu i KZAZ-së shtoi se ai dhe komisionerët e opozitës e kanë kundërshtuar kërkesën në fjalë megjithatë theksoi se i është bërë presion disa herë e disa ditë radhazi nga ana e KQZ-së për të miratuar tabelat e KQZ-së.

Sipas Prekajt të gjitha këto praktika ngrenë dyshime për manipulim të rezultatit në Elbasan.

“Unë dhe komisionerët e opozitës kemi refuzuar me arsyetimin se nuk mund të nxirren tabela rezultatesh te ndryshme për të njëjtën QV, duke i kërkuar KQZ që ata të korrigjojnë tabelat finale bazuar edhe në Kodin Zgjedhor. Nga KQZ më është bërë presion disa herë dhe disa ditë rrjesht për t’i miratuar tabelat e tyre, deri edhe me ndjekje penale. Denoncoj këto praktika të dyshimta, që vënë në pikëpyetje të gjithë procesin dhe ngrenë dyshime për devijim dhe manipulim të rezultatit zgjedhor në Bashkinë Elbasan.” – mbylli deklaratën Prekaj.