Vendosni fjalën kyçe....

Një 46-vjeçare iraniane arrestohet në Rinas pasi tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë çeke të falsifikuar


Një 46-vjeçare nga Irani ka rënë në prangat e policisë, pasi tentoi që të kalonte kufirin në Rinas me pasaportë të falsifikuar.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasen me inicialet L. B., banuese në Teheran, Iran, e cila akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i leternjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Tentoi të dilte nga Shqipëria, duke përdorur pasaportë çeke të falsifikuar, vihet në pranga 46-vjeçarja nga Irani. Sekuestrohen pasaporta dhe një dokument tjetër i falsifikuar që iu gjet kësaj shtetaseje. Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Si rezultat, është goditur një rast i tentativës për të dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke përdorur dokument fals.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasja iraniane L. B., 46 vjeçe, banuese në Teheran, Iran, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i leternjoftimeve, pasaportave ose i vizave”. Kjo shtetase ka paraqitur në sportelin e PKK Rinas, biletën e udhëtimit dhe një pasaportë çeke për të cilën punonjësi i Policisë Kufitare ka dyshuar se ishte e falsifikuar. Pas ekzaminimit në laboratorin e dokumenteve rezultoi se pasaporta ishte e falsifikuar.

Gjatë kontrollit, kësaj shtetaseje iu gjet edhe një leje për qëndrim në Çeki, e cila gjithashtu rezultoi e falsifikuar. 2 dokumentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale në ngarkim të shtetases L. B. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.