Vendosni fjalën kyçe....

Nëntë të vdekur nga përmbytjet në veri të Italisë


Të paktën nëntë persona vdiqën dhe mijëra u zhvendosën nga shtëpitë e tyre pasi shiu i rrëmbyeshëm goditi rajonin verior të Italisë Emilia-Romagna, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, thanë zyrtarët të mërkurën.

Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci tha se disa zona kishin pasur gjysmën e reshjeve të tyre mesatare vjetore në vetëm 36 orë, duke shkaktuar që lumenjtë të dalin nga shtrati, duke shtuar ujërat nëpër qytete dhe duke përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore.

Çmimi i madh i ‘Formula 1’ i së dielës në Imola, që është afër shumë prej zonave më të goditura, u anulua në një përpjekje për të lehtësuar presionin mbi shërbimet e urgjencës.

“Ne po përballemi me ngjarje katastrofike që ndoshta nuk janë parë më parë,” u tha gazetarëve presidenti i rajonit Emilia-Romagna, Stefano Bonaçini.

“Sasi të jashtëzakonshme shiu kanë rënë e toka nuk është më në gjendje t’i thithë ato.”

Qyteti bregdetar i Ravenës, u prek keq, shkruan Reuters. Përfaqësuesi lokal i Ministrisë së Brendshme tha se rreth 14,000 njerëz do duhet të zhvendosen nga zona sa më shpejt të jetë e mundur.

Autoritetet thanë se përmbytjet kishin goditur 37 qytete dhe komunitete dhe rreth 120 rrëshqitje dheu ishin regjistruar. Të paktën një urë, pranë qytetit të Bolonjës, u shemb, disa rrugë u dëmtuan nga përmbytjet dhe shumë shërbime hekurudhore u pezulluan.

Nëntë trupa ishin nxjerrë nga vende të ndryshme, tha Bonaçini. Ministri i Mbrojtjes Civile Musumeci tha se do i kërkojë kabinetit që të gjejë 20 milionë euro për zonën e prekur kur mblidhet më 23 maj për të shqyrtuar masat e ndihmës.

Ishte hera e dytë këtë muaj që Emilia-Romagna goditet nga moti i keq, me të paktën dy persona të vdekur gjatë stuhive në fillim të majit.