Vendosni fjalën kyçe....

Rama për arrestimin e Belerit: Rast delikat, nëse s’ka prova të mjaftueshme do ishte skandaloze


Kryeministri Rama tha se nëse për arrestimin e Fredi Belerit nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë është një skandal i madh.

Ai deklaroi se është befasuar lidhur me ndalimin tij me akuzat për shitblerje votash ndërsa tha se hetimi në fjalë ka nisur shumë kohë përpara se të niste polemika e tij me Belerin.

“Për hir të vërtetës unë u befasova sic u befasuat edhe ju. Ky është një zhvillim që lidhet ne hetime terësisht të pavarura, të cilin nuk kemi pasë mundësi të marrim akoma informacione, sepse prokurori do t’i drejtohet gjykatës për masën e sigurisë. Por nga ana tjetër, me sa kemi mundur të mësojmë nga policia e shtetit, bëhet fjalë për një hetim që ka filluar prej disa kohësh dhe kohë përpara se të fillonte polemika ime më këtë personazh, që u nxit nga një intervistë e tij e dhënë për mediat greke për helenizimin e Himarës.  Bëhet fjalë për një hetim që ka prova dhe do jetë vërtetë një skandal nëse nuk ka prova të mjaftueshme për këtë veprim, sepse bëhet fjalë për një kandidat që është në garë. Nëse nuk ka prova që ky njeri është i përfshirë drejtpërdrejt në veprimtari kriminale, atëherë do të ishte skandaloze.” – deklaroi Rama.

Ai shtoi më tej se ndalimi i Belerit është temë delikate pasi bëhet fjalë për element të veçantë që lidhen me minoritetin grek  në Shqipëri.

 “Kjo temë është shumë delikate, fakti që ky është një kandidat që ky përfaqëson sipas tij disa ndjenja dhe elementë të vecantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri. Kjo është problem, është vërtetë problem. Kjo është një veprimtari që duhet të jetë e provuar katërcipërisht se ai është i përfshirë në veprimtari kriminale që ndikon direkt në procesin zgjedhor.” – shtoi kryeministri.

Beleri u arrestua mesnatën e mbrëmshme me urdhër të SPAK-ut, bashkë me tre persona të tjerë të stafit të tij elektoral. Ndalimi i tij është dënuar ashpër nga zv.ministri i Jashtëm grek, nga kreu i PBDNJ-së, Dule e nga kreu i Partisë së Lirisë Meta.