Vendosni fjalën kyçe....

Pas procedurës për naftën e TEC-ve lundrues, hapet gara për transportin e saj


Termocentrali i Vlorës, pjesë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare duket se do të jetë autoriteti i përfshirë direkt me TEC-et lundrues të vendosur në Triport për prodhimin e energjisë.

Një procedurë e çelur së fundmi nga kjo njësi parashikon sigurimin e transportit për lëndën djegëse që do të përdoret. Transporti do të bëhet nga ambientet e TEC Vlorës për në Triport në mënyrë të vazhdueshme sipas një kalendari që do të dakordësohet me palët dhe afati i kontratës është 24 muaj.

Pavarësisht se situata hidrike paraqitet e mirë dhe përveç mbulimit të prodhimit vendas KESH edhe po shet në treg të lirë (procedura e fundit arkëtoi mbi 7 milionë euro) përgatitja për t’i vënë në gjendje pune TEC-t lundrues ka vijuar.

Konkretisht KESH më herët hapi një procedurë për shprehje interesi nga ana e kompanive që do të kishin interes për të marrë pjesë për të siguruar lendën e nevojshme djegëse. Kjo procedurë e hapur në mars kërkonte një sasi minimale 100 mijë tonë në vit me një dërgesë të shumëfishtë prej maksimumi 25,000 mijë ton VLSFO, brenda intervaleve prej 60-90 ditë. Korporata ka bërë me dije se ka pasur interes nga disa kompani për këtë procedurë.

TEC-et lundrues

Kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe. KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues.

Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Këto të fundit do të prodhojnë energji përmes naftës sipas nevojës.

Kapaciteti i dy njësive është 110 MW. Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 Gwh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh.

Mbetet e paqarte deri në çfarë pike do të përdoren këta gjenerues për aq kohë sa prodhimi në vend gjatë këtij viti ka rezultuar i mirë falë edhe përmirësimit të kushteve hidrike, kthesë kjo që nisi në fund të nëntorit të vitit të shkuar.

Gjithsesi edhe pse situata për momentin paraqitet e favorshme mbetet për t’u parë sesi do të jetë vera dhe konsumi në pikun e sezonit i cili mund të tejkalojë në fasha të caktuara orare mundësitë e prodhimit që ka vendi sipas kapacitetit të instaluar , flasim këtu për kaskadën e Drinit që është edhe kryesorja.

VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e Monitor