Vendosni fjalën kyçe....

U kap duke kultivuar bimë narkotike, arrestohet 28-vjeçari në Kurbin


Një 28 vjeçar është arrestuar nga policia e Kurbinit pasi akuzohet për kultivim, të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi 2” , me anë të dronit është bërë i mundur evidentimi dhe goditja e një rasti tjetër i kultivimit të bimëve narkotike.

Nga operacioni janë sekuestruar me anë të djegies, 285 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në zonë pyjore, në fshatin Gallatë.

Gjithashtu është nisur procedimi penal për kryetarin e fshatit të Gallatës, për shpërdorim detyre.

Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimim dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi 2”, kanë goditur një rast tjetër të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë këtij operacioni, përmes përdorimit të dronit, në një zonë pyjore të fshatit Gallatë, njësia administrative Milot, u konstatuan të kultivuara 285 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas veprimeve procedurale dhe hetimore, u asgjësuan me anë të djegies.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 28 vjeç, i dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, për shtetasin Gj. B., 51 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Gallatë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.