Vendosni fjalën kyçe....

India do mbetet e varur nga qymyri për energjinë – Raporti


India do mbetet shumë e varur nga qymyri si burimi më i madh i prodhimit të energjisë për dekadën e ardhshme, pavarësisht përpjekjevë të saj për të rritur projektet e energjisë së rinovueshme, sipas një raporti qeveritar.

Autoriteti Qendror Elektrik (CEA) tha se impiante shtesë do duhet të ndërtohen pasi prodhimi i energjisë me qymyr do përbëjë ende rreth 54% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike të Indisë në vitin 2030. Lëndët djegëse fosile aktualisht përbëjnë pothuajse tre të katërtat e prodhimit të energjisë në vend.

India raportohet se është emetuesi i tretë më i madh në botë i dioksidit të karbonit. Ajo po kërkon mënyra për të përmbushur kërkesat në rritje të energjisë elektrike, ndërsa në të njëjtën kohë vendos synime ambicioze për të dekarbonizuar sektorin e saj të energjisë.

“Disponueshmëria e energjisë elektrike të përballueshme dhe të besueshme është një faktor kyç në rritjen e qëndrueshme të vendit,” tha në raport Ghanshyam Prasad, kryetar i CEA-s.

India planifikon të heqë dalëngadalë rreth 2 gigavat impiante me qymyr dhe të instalojë centrale diellore, ere, ujore, të biomasës dhe bërthamore me një kapacitet të përgjithshëm prej më shumë se 500 gigavat deri në vitin 2030.

Ndërkohë, impiantet e reja të qymyrit të projektuara për të ofruar rreth 27 gigavat janë tashmë në ndërtim e sipër dhe mund të duhet të ndërtohen 19.1 gigavat shtesë për të mbuluar nevojat e Indisë për energji, sipas CEA-s.